Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami priti në takim z. Peter Spary, anëtar i bordit të Shoqatës për Zhvillimin e Ekonomisë Konkurrente dhe z. Peter Paul Thoma, përfaqësues i sektorit për energji efikase,të cilët prezantuan shoqatën e tyre me qendër në Berlin dhe me aktivitetet e saj kryesore.
Ministrja Hykmete Bajrami njoftoi përfaqësuesit e Shoqatës Gjermane për Zhvillimin e Ekonomisë Konkurrente për përpjekjet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të krijuar një klimë më të favorshme për investitorët potencialë dhe për angazhimet që është duke i ndërmarrë Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, për të krijuar kushte dhe mundësi më të mira të të bërit biznes. Ajo i informoi të pranishmit me potencialet që ka Kosova për mundësitë e investimeve të huaja në sektorë të ndryshëm ekonomik dhe infrastrukturën ligjore e politikat fiskale që janë ndryshuar nga muaji shtator në interes të biznesit privat.
Mysafirët falënderuan ministren Bajrami për pritjen dhe prezantimet e ofruara dhe premtuan që shumë shpejtë do të organizojnë takime të përbashkëta në mes investitorëve dhe bizneseve gjermano – kosovare në mënyrë që “kontaktet të shndërrohen në kontrata bashkëpunimi”.
Përfaqësuesit e Shoqatës për Zhvillimin e Ekonomisë Konkurrente shprehën interesimin për mundësitë e investitorëve gjerman për të investuar në Kosovë, në sektorë të ndryshëm. Ata bënë të ditur se shërbejnë si urë lidhëse për bizneset gjermane dhe janë të interesuar për përmirësimin e mëtutjeshëm të raporteve të mira që janë mes të dy vendeve në fushën e zhvillimit ekonomik, në mënyrë që bizneset gjermane të shfrytëzojnë mundësitë e investimeve në Kosovë ku ambienti i të bërit biznes është duke u përmirësuar