Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, znj. Hykmete Bajrami, u takua me drejtorin ekzekutiv të kompanisë IPKO, Robert Erzin, me të cilin bashkëbisedoi për mundësitë e rritjes së investimeve në fushën e telekomunikacionit, për të ofruar shërbime më të mira telekomunikuese për qytetarët.
Z. Erzin e njoftoi ministren Bajrami, për aktivitetet e kompanisë “IPKO”, në Kosovë. Ai e informoi ministren Bajrami me zhvillimet, në kuadër të implementimit të platformës 4G në Kosovë, dhe kërkoi që të krijohet konkurrencë e drejtë në fushën e shërbimeve telekomunikuese, duke ofruar tarifa rregulluese që mundësojnë rritjen dhe zhvillimin e shërbimeve moderne telekomunikuese në Kosovë.
Ministrja Bajrami e njoftoi z. Erzin për angazhimet dhe nismat që është duke i ndërmarrë Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, për të krijuar kushte dhe mundësi më të mira për të bërit biznes. “Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës janë duke u angazhuar në vazhdimësi për të krijuar klimë më të favorshme për investime në Kosovë, në eliminimin e barrierave dhe krijimin e konkurrencës së mirëfilltë në treg”, theksoi ministrja Bajrami.