Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, znj. Hykmete Bajrami, së bashku më përfaqësuesit e Zyrës së BE-së dhe ata të IOM-it në Kosovë, mori pjesë në aktivitetin promovues të kompanisë “Exim Metal Sh.P.K”, Shtime” e cila falë grantit të ndarë nga BE dhe MTI ka arritur të lansojë linjë të re prodhuese duke krijuar disa vende të reja të punës dhe duke rritur kapacitetet për tregun e Kosovës dhe rritur eksportet e produkteve metalike.
Në fjalën e saj, ministrja Bajrami theksoi se kjo është një arritje e konsiderueshme dhe shtoi se është kënaqësi të shihet se përmes këtyre investimeve në mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme po shkohet drejt përmbushjes së objektiva tona për rritjen e eksportit dhe krijimit të vendeve të reja të punës. Ministrja Bajrami nënvizoi se ”Rruga e zhvillimit ekonomik të vendit është përmes forcimit të sektorit privat dhe prodhimit.” Ajo shtoi më tej se ky grant ka një vlerë të veçantë, dhe tregon se këto kompani kanë nevojë për mbështetje institucionale që të ecin përpara. Ne jemi në bisedime për projekte të tjera të granteve, tha ministrja Bajrami, e cila potencoi se tani kemi përpara edhe projektet, përkatësisht fondet IPA 2 të BE-së, për të vazhduar më tej investimet dhe për të krijuar kompani të konsoliduara dhe rritur punësimin. Ministrja Bajrami tha se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të punojë me përkushtim, së bashku me partnerët ndërkombëtar, në fuqizimin e sektorit privat në vend qoftë përmes përmirësimit të infrastrukturës ashtu edhe përmes përmirësimit të legjislacionit dhe krijimit të lehtësirave të ndryshme të cilat do ta fuqizojnë sektorin prodhues në vendin tonë.