Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka prezantuar sot para mediave rezultatet dhe prioritetet e realizuara gjatë 100 ditëve të para të qeverisjes në krye të MINTI-t, duke theksuar se kjo periudhë është karakterizuar nga reforma konkrete, partneritete strategjike dhe hapa të rëndësishëm drejt zhvillimit ekonomik të Kosovës.
Gjatë konferencës për media, ministrja Kusari-Lila tha se fokusi i ministrisë ka qenë avancimi i legjislacionit ekonomik, mbështetja e prodhimit vendor, zgjerimi i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe krijimi i kushteve më të favorshme për bizneset dhe investitorët.
Ajo bëri të ditur se gjatë kësaj periudhe janë ratifikuar Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me EFTA-n dhe protokollet 5, 6 dhe 7 të CEFTA-s, që lidhen me lehtësimin e tregtisë, tregtinë e shërbimeve dhe zgjidhjen e kontesteve. Po ashtu, është miratuar Ligji për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në rast krizash ekonomike, ndërsa në Qeveri është miratuar edhe Projektligji për Inovacion dhe Ndërmarrësi.
Ministrja theksoi se janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm edhe në reformimin institucional dhe ligjor, duke përfshirë dorëzimin për miratim të Projektligjit për Pagesat e Vonuara në Transaksionet Tregtare, nisjen e procedurave për krijimin e Agjencisë së Re për Ndërmarrësi, si dhe hartimin e projektligjeve për tregtinë e brendshme, shoqëritë tregtare, mbrojtjen e konsumatorit dhe zejtarinë.
Në fushën e zhvillimit industrial, Kusari-Lila tha se është funksionalizuar Këshilli për Zhvillim Industrial dhe ka nisur modelimi i parqeve industriale sipas klasterëve industrialë. Sipas saj, është finalizuar studimi për parqet industriale të gjelbra dhe janë siguruar marrëveshje në parim me Bankën Botërore dhe IFC-në për zhvillimin e parkut të parë të gjelbër në Gjakovë.
Ajo përmendi edhe vendimin e Qeverisë për transferimin e ish-pronave shoqërore “Virxhinia” dhe “Metaliku” për ndërtimin e zonës së biznesit në Gjakovë, si dhe vendosjen e gurthemelit të Parkut Industrial në Frashër të Mitrovicës. Sipas ministres, mbi 30 milionë euro investime janë siguruar për zhvillimin e parqeve industriale, ndërsa marrëveshje për zhvillimin e tyre janë nënshkruar në Mitrovicë, Lipjan, Drenas, Podujevë dhe Shtime, derisa kanë nisur edhe përgatitjet për Parkun Industrial në Gjilan.
Në mbështetje të sektorit privat, ministrja bëri të ditur se 54 biznese janë mbështetur përmes skemave të granteve në fusha si digjitalizimi, inovacioni, certifikimi dhe rritja e kapaciteteve prodhuese. Ajo shtoi se janë hartuar edhe skema të reja për gratë në biznes, teknologji, industri kreative dhe energji të ripërtëritshme, ndërsa është planifikuar themelimi i një divizioni të veçantë për gratë ndërmarrëse pranë Agjencisë për Ndërmarrësi dhe Inovacion.
Në kuadër të promovimit të eksporteve dhe produkteve vendore, MINTI ka mbështetur 55 ndërmarrje për pjesëmarrje në shtatë panaire ndërkombëtare në Gjermani, Francë, Zvicër, Turqi dhe Itali, ku janë promovuar mbi 1100 produkte “Made in Kosova”.
Duke folur për diplomacinë ekonomike, ministrja Kusari-Lila tha se Kosova ka intensifikuar bashkëpunimin ndërkombëtar përmes vizitave dhe konferencave ekonomike në Turqi, Kanada, Zvicër, Gjermani dhe Holandë, si dhe përmes organizimit të Forumit të parë të Agro Biznesit Kosovë–Itali.
Ajo theksoi se gjatë kësaj periudhe është rritur edhe mbikëqyrja e tregut dhe mbrojtja e konsumatorit, duke përmendur vendosjen e marzhës së fitimit dhe çmimit maksimal për derivatet e naftës, rritjen për 35 për qind të inspektimeve dhe trajtimit të ankesave të konsumatorëve, si dhe shtimin e 34 inspektorëve të rinj në Inspektoratin Qendror të Tregut.
Sipas ministres, një fokus i rëndësishëm i është kushtuar edhe digjitalizimit dhe integrimit evropian, përmes modernizimit të sistemeve të ministrisë, avancimit të reformës së ARBK-së, rikthimit të funksionalitetit të sistemit DMK dhe finalizimit të aplikacionit “Blej Sigurt”.
Ministrja Kusari-Lila tha se MINTI do të vazhdojë me të njëjtin ritëm pune dhe me fokus në zhvillimin ekonomik, forcimin e sektorit privat dhe krijimin e më shumë mundësive për qytetarët dhe bizneset në Kosovë.