Prishtinë,
27/03/2026
Gjatë takimit u theksua se thellimi i bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Italisë mbetet një prioritet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit. Ministrja prezantoi punën e Ministrisë, duke përfshirë planprogramin katërvjeçar për zhvillimin e parqeve industriale, integrimin e politikave të gjelbra, avancimin e ekonomisë qarkore dhe rritjen e mundësive për investime të përbashkëta.
Po ashtu, në takim u diskutua për lehtësimin e procedurave për regjistrimin e bizneseve të huaja në Kosovë përmes platformës së Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), me qëllim krijimin e kushteve më të favorshme për investitorët e huaj.
Ministrja Kusari-Lila dhe ambasadori Antonini u dakorduan për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, me synim rritjen e investimeve, fuqizimin e lidhjeve ekonomike dhe krijimin e mundësive të reja për bizneset.
Në takim u trajtuan edhe aktivitetet e ardhshme përmes forumeve ekonomike, përfshirë forumin që pritet të mbahet në muajin maj në Kosovë, si dhe atë pasues në Trieste të Italisë.






