Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, zhvilloi takim me eksperten e transformimit digjital, specialisten e Inteligjencës Artificiale dhe Sigurisë Kibernetike, themeluesen e TDS Consulting dhe drejtoreshën e Women in Tech Kosovë, Teuta Sahatqija.
Gjatë takimit u diskutua për zhvillimin e të rinjve në fushat e teknologjisë, transformimin digjital dhe mundësitë e reja që po krijohen për ndërmarrësit e rinj dhe startup-et në këtë sektor.
Një fokus i veçantë i diskutimit ishte fuqizimi i vajzave dhe grave në teknologji, inovacion dhe ndërmarrësi, me qëllim krijimin e më shumë mundësive për përfshirjen dhe kontributin e tyre në sektorët që po përcaktojnë ekonominë e së ardhmes.
Ministrja Kusari-Lila vlerësoi kontributin dhe përvojën e Teuta Sahatqijas në nxitjen e ideve transformuese, zhvillimin e talenteve të reja dhe avancimin e një ekosistemi më të favorshëm për inovacionin dhe teknologjinë në Kosovë.
Në këtë drejtim, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit mbetet e përkushtuar, që përmes transformimit digjital, inovacionit dhe ndërmarrësisë të avancojë projekte strategjike që krijojnë më shumë mundësi për të rinjtë, fuqizojnë vajzat dhe gratë dhe mbështesin bizneset vendore.


