Ministrja Kusari-Lila: Dy masa për mbrojtjen e prodhimit vendor nga praktikat e padrejta tregtare

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka mbajtur sot konferencë për media ku ka bërë të ditura dy vendime të rëndësishme që lidhen me mbrojtjen e bizneseve vendore nga praktikat e padrejta tregtare ndaj Republikës së Kosovës.

Ministrja theksoi se të dy vendimet bazohen në analiza statistikore dhe janë në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi, duke pasur për qëllim mbrojtjen e prodhimit vendor dhe garantimin e kushteve të barabarta të konkurrencës në treg.

Vendimi i parë ka të bëjë me fillimin e hetimit zyrtar për importin e farës së grurit me origjinë nga Serbia, pas një ankese të një kompanie vendore prodhuese.

Sipas ministrisë, ekzistojnë indikacione se fara e grurit po importohet dhe shitet me çmime dumping, duke shkaktuar dëme materiale në industrinë vendore të prodhimit të farës së grurit në Kosovë.

Hetimi është iniciuar në bazë të Ligjit për Masat Antidamping dhe Masat Kundërbalancuese, pas analizave të Departamentit të Tregtisë dhe konsultimeve me Komisionin për Vlerësimin e Detyrimeve të Veçanta në Importe.

Analiza preliminare është mbështetur në të dhëna nga prodhuesit vendorë, Dogana e Kosovës, MBPZHR dhe tregu rajonal, ndërsa në rast të konstatimit të dumpingut dhe dëmit ndaj industrisë vendore, ministria ka paralajmëruar vendosjen e masave të përkohshme antidumping.

Vendimi i dytë që ministrja e ka përcjellë për miratim në Qeveri ka të bëjë me vendosjen e një kuote sasiore ndaj Serbisë për importin e aluminit dhe artikujve prej alumini.

Sipas ministrisë, ky vendim vjen si reagim ndaj kufizimeve të vendosura nga Serbia për eksportet e Kosovës, veçanërisht në sektorin e çelikut dhe materialeve ndërtimore, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në tregtinë e Kosovës në kuadër të CEFTA-s.

Kosova ka theksuar se këto masa të Serbisë kanë krijuar disbalancë tregtare dhe kanë ndikuar negativisht në eksportet vendore, ndërsa institucionet kosovare kanë adresuar çështjen në disa raste në kuadër të mekanizmave të CEFTA-s, pa rezultate konkrete.

Kuota e propozuar parasheh kufizimin e importit në nivelin 30% të vëllimit të vitit 2025 për produktet e Kapitullit 76, ndërsa çdo tejkalim i saj do t’i nënshtrohet tarifës doganore prej 50%.

Ministrja Kusari-Lila theksoi se këto masa synojnë mbrojtjen e prodhuesve vendorë, rivendosjen e konkurrencës së drejtë dhe trajtim reciprok në marrëdhëniet tregtare.

Ajo shtoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj tregtisë së lirë dhe bashkëpunimit rajonal, por nuk do të lejojë praktika që dëmtojnë prodhimin vendor dhe ekonominë e vendit.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors