Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka sqaruar se çmimi i naftës nuk përcaktohet në mënyrë arbitrare, por bazohet çdo ditë në çmimin e importit në kufi, i cili ndryshon sipas furnizimeve që hyjnë në doganë.
Ministrja ka theksuar se sa i përket marzhës së fitimit, ajo është e rregulluar qartë: +2 centë për litër për shumicë dhe +12 centë për litër për pakicë. Pra, sipas saj, çmimi final është thjesht çmimi i importit plus kjo marzhë fikse – as më shumë, as më pak.
Siç ka potencuar ministrja, kjo do të thotë, se çdo rritje apo ulje e çmimit vjen drejtpërdrejt nga tregjet ndërkombëtare, jo nga ndryshimi i marzhës në tregun vendor.
Gjithashtu, ministrja Kusari-Lila ka deklaruar se për këtë arsye, mbikëqyrja e tregut, përcjellja e zbatimit të marzhës së caktuar, si dhe informimi i drejtë i qytetarëve mbeten thelbësore për të shmangur keqinterpretimet dhe për të garantuar besimin e qytetarëve.