Fillimisht, ministrja Kusari-Lila është shprehur se Ditën e Çlirimit të Kosovës po e shënojmë në mesin e dy shtyllave që kanë mbajtur dhe vazhdojnë të avancojnë mirëqenien dhe zhvillimin ekonomik të vendit tonë, bizneseve dhe diasporës sonë.
Në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Cyrih, ministrja ka marrë pjesë në një takim rrjetëzimi dhe bashkëpunimi biznesor ndërmjet kompanive nga Kosova dhe bizneseve të mërgatës shqiptare në Zvicër, duke theksuar faktin se kjo ngjarje ishte një mundësi e mirë për të shkëmbyer përvoja, për të diskutuar mundësi të reja bashkëpunimi dhe për të forcuar lidhjet ekonomike mes Kosovës dhe diasporës sonë.
Ajo ka theksuar se së bashku me Konsullin e Përgjithshëm, Vigan Berisha dhe Arieta Pozhegu Vula nga Shoqata e Përpunuesve të Drurit kanë bashkëbiseduar me përfaqësues të shumtë të bizneseve për potencialin e investimeve, eksportit dhe zgjerimit të partneriteteve ekonomike.
Ky takim, sipas ministres vjen në prag të dy organizimeve të rëndësishme që do të mbahen nesër në Zvicër. Ajo bëri të ditur se në Lucern do të zhvillohet takimi me Rrjetin Global të Bizneseve Shqiptare, ndërsa në Cyrih do të mbahet ngjarja “She Leads”, panair dhe platformë rrjetëzimi që promovon gratë shqiptare në sipërmarrje dhe biznes.
Klima e të bërit biznes në Kosovë, sipas ministres, ka shënuar progres të dukshëm në vitet e fundit dhe potenciali ynë ekonomik vazhdon të rritet, prandaj, ftesa jonë mbetet e hapur për ndërmarrësit dhe profesionistët shqiptarë kudo në botë, duke i inkurajuar të: investoni, bashkëpunoni dhe të bëheni pjesë e zhvillimit të vendit tuaj.
Krejt në fund, ministrja Kusari-Lila i ka bërë një falënderim të veçantë ekipit të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Cyrih për angazhimin e vazhdueshëm në forcimin e lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe diasporës sonë.