Prishtinë, 04/05/2026
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë të ditur se Kosova po ndërmerr hapa konkretë drejt zhvillimit të eko zonave industriale, si pjesë e përpjekjeve për një zhvillim më të qëndrueshëm ekonomik.
Në një takim të përbashkët me German Economic Team (GET), përfaqësues të Ambasadës Gjermane dhe partnerë të tjerë, janë prezantuar gjetjet dhe rekomandimet lidhur me potencialin për zhvillimin e parqeve industriale të gjelbra në vend. Sipas këtij vlerësimi, si zona premtuese janë identifikuar hapësirat e Metalikut dhe Virgjinisë në Gjakovë, si dhe pjesërisht zona industriale në Frashër të Mitrovicës, të cilat përmbushin kriteret bazë për zhvillim të qëndrueshëm industrial.
Aktualisht, është duke punuar në koordinim me Agjencinë e Privatizimit dhe Ministrinë e Mjedisit për shpalljen e këtyre zonave si zona me interes të veçantë, si dhe për nisjen e studimit të fizibilitetit dhe projektimit të parkut industrial.
Në të njëjtën kohë, është duke u intensifikuar bashkëpunimi me partnerë ndërkombëtarë, përfshirë Korporatën Financiare Ndërkombëtare dhe Bankën Botërore, me qëllim sigurimin e financimit dhe mbështetjes për zbatimin e këtij projekti.
Zhvillimi i parqeve industriale mbetet një ndër prioritetet kryesore të Ministrisë, si një instrument i rëndësishëm për forcimin e prodhimit vendor, zëvendësimin e importeve dhe tërheqjen e investimeve të huaja. Këto parqe do të organizohen sipas industrive të caktuara dhe do të menaxhohen me modele moderne, me synim rritjen e efikasitetit dhe qëndrueshmërisë.
Sipas ministres Kusari-Lila, parqet industriale të gjelbra përfaqësojnë më shumë se një investim në infrastrukturë ekonomike, pasi ato synojnë të krijojnë vende të reja pune, të ulin ndikimin në mjedis dhe të kontribuojnë në zhvillimin afatgjatë të komuniteteve në Kosovë.



