Prishtinë,
26/03/2026
Gjatë këtij takimi, ajo u shpreh se ishte një hapësirë e sinqertë diskutimi, ku u trajtuan sfidat e përditshme me të cilat përballen gratë, si dhe mënyrat konkrete për tejkalimin e tyre. Sipas saj, diskutimet u fokusuan edhe në nevojën për avancimin e legjislacionit dhe hartimin e politikave më të drejta dhe gjithëpërfshirëse.
Ministrja Kusari-Lila vuri në pah edhe rëndësinë e mbështetjes së ndërsjellë, duke theksuar se asnjë grua nuk duhet ta përballojë e vetme rrugëtimin drejt suksesit.
Ajo bëri të ditur se institucionet janë në proces të krijimit të një agjencie të re për ndërmarrësinë, me fokus të veçantë në fuqizimin e grave në biznes, duke theksuar se avancimi i një gruaje kontribuon drejtpërdrejt në zhvillimin e përgjithshëm të shoqërisë.
Në fjalën e saj, ministrja i inkurajoi gratë që të mos e vënë në dyshim vlerën e tyre, duke theksuar se idetë dhe zëri i tyre kanë rëndësi, ndërsa guximi për të provuar dhe për t’u rikthyer pas sfidave është thelbësor për ndryshim.
Në përmbyllje, ajo bëri thirrje për vazhdimin e mbështetjes së ndërsjellë mes grave, duke theksuar se përmes bashkëpunimit arrihen rezultate më të mëdha dhe më të qëndrueshme.










