Ministrja Kusari-Lila: Mbështetja për gratë është investim në punësim dhe zhvillim ekonomik

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka marrë pjesë në tryezën me temën “Mundësitë e politikave për fuqizimin e grave në bujqësi dhe zhvillim rural”, organizuar në bashkëpunim me Forumin Ekonomik të Grave, me pjesëmarrjen e Caritas Zviceran, Agjencisë për Zhvillim të Austrisë, komunave dhe institucioneve.

Gjatë tryezës është diskutuar për sfidat me të cilat përballen gratë në ndërmarrësi, veçanërisht gratë që veprojnë në sektorin e bujqësisë, si dhe për politikat dhe mekanizmat që mund të kontribuojnë në fuqizimin dhe qëndrueshmërinë e veprimtarisë së tyre.

Ministrja Kusari-Lila ka theksuar nevojën për mbështetje dhe promovim më të madh të punës dhe produkteve të grave, duke vënë në pah rëndësinë e rritjes së prodhimit, cilësisë dhe mundësive të barabarta në ekonomi.

Ajo ka bërë të ditur se Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit deri tani ka mbështetur 176 biznese në pronësi apo bashkëpronësi të grave, përmes granteve për rritjen e prodhimit, certifikimin, digjitalizimin dhe inovacionin.

Gjithashtu, MINTI ka dizajnuar një skemë të veçantë për bizneset në pronësi të grave, e cila aktualisht është në proces të vlerësimit.

Në kuadër të përpjekjeve për zgjerimin e tregjeve, ministrja ka theksuar se përmes panaireve ndërkombëtare, forumeve ekonomike dhe takimeve B2B po krijohen mundësi të reja për promovimin e produkteve të grave dhe qasjen e tyre në tregje të reja.

Kusari-Lila ka bërë të ditur se mbështetja për gratë në biznes do të vazhdojë edhe përmes Agjencisë së re për Ndërmarrësi dhe Inovacion, në kuadër të së cilës është krijuar Divizioni për Gratë në Biznes.

“Mbështetja për gratë nuk është vetëm çështje barazie. Është investim në prodhim, punësim dhe zhvillimin e ekonomisë sonë”, ka theksuar Kusari-Lila.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors