Ministrja Kusari-Lila në “Brezovica Economic Forum 2026”: Kosova krenohet me kapitalin e saj njerëzor

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, mori pjesë në konferencën ndërkombëtare “Brezovica Economic Forum 2026”, të organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), me kryetar Lulzim Rafuna, ku u diskutua për integrimin ekonomik rajonal, kapitalin njerëzor dhe rritjen e qëndrueshme të bizneseve.

Në konferencë morën pjesë përfaqësues të institucioneve, partnerë dhe investitorë nga Kosova, Evropa dhe Japonia.

Në hapje të konferencës, ministrja Kusari-Lila theksoi rëndësinë e kapitalit njerëzor si një nga përparësitë kryesore të Kosovës, duke veçuar zhvillimin e sektorit të shërbimeve, veçanërisht të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK), si dëshmi të potencialit të këtij sektori.

Ajo vuri në pah nevojën për përshpejtimin e përdorimit të teknologjisë dhe inteligjencës artificiale, integrimin e bizneseve kosovare në zinxhirët rajonalë dhe ndërkombëtarë të vlerës dhe furnizimit, si dhe thellimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë për transferimin e njohurive, teknologjisë dhe përvojave.

Kusari-Lila mori pjesë edhe në panelin, me temë: “Nga Tregu i Përbashkët Rajonal drejt Tregut të Vetëm të BE-së”, së bashku me udhëheqësin e BERZH-it në Kosovë, Sergiy Maslichenko, drejtoreshën e Sekretariatit të CEFTA-s, Pranvera Kastrati dhe sekretarin e përgjithshëm të RCC-së, Amer Kapetanoviq. Moderimi i ketij paneli u bë nga Dardan Sejdiu.

Gjatë diskutimit, ministrja prezantoi reformat dhe masat e MINTI-t për fuqizimin e prodhuesve vendorë dhe rritjen e kapaciteteve të tyre eksportuese. Ajo theksoi se synimi është që bizneset kosovare të mos kenë vetëm qasje formale në tregje, por edhe kapacitete reale për të konkurruar në to.

Në këtë drejtim, Kusari-Lila përmendi rritjen e mbështetjes përmes granteve nga 10 në 30 milionë euro gjatë katër viteve të ardhshme, avancimin e Ligjit për Inovacion dhe Ndërmarrësi dhe krijimin e Fondit të Inovacionit. Këto masa synojnë të mbështesin investimet e bizneseve në makineri moderne, digjitalizim dhe përmbushjen e standardeve evropiane.

Një tjetër çështje e theksuar ishte rritja e përfshirjes së grave dhe vajzave në tregun e punës dhe në ndërmarrësi, përmes uljes së barrierave dhe krijimit të mundësive më të mëdha për pjesëmarrjen e tyre në zhvillimin ekonomik.

Konferenca trajtoi mundësitë e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar për të nxitur investimet, inovacionin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të bizneseve, me theks të veçantë në partneritetet me vende si Polonia dhe Japonia.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors