Ministrja Kusari-Lila në Bruksel, prezanton investimet e Kosovës në inovacion dhe mbështetjen për bizneset

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, mori pjesë në Takimin Ministror të Platformës Drejtuese të Ballkanit Perëndimor për Kërkimin Shkencor dhe Inovacionin, të organizuar në Bruksel nga komisionerja evropiane për Start-up-et, Kërkimin Shkencor dhe Inovacionin, Ekaterina Zaharieva.

Në takim, ku Kosova u përfaqësua edhe nga zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Përparim Kryeziu, dhe ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, ministrat dhe partnerët nga Ballkani Perëndimor dhe Evropa diskutuan për mundësitë që kërkimi shkencor dhe inovacioni krijojnë për zhvillimin ekonomik dhe avancimin e rajonit.

Gjatë takimit, Bashkimi Evropian dhe partnerët e Ballkanit Perëndimor miratuan një deklaratë të përbashkët për forcimin e bashkëpunimit në kërkimin shkencor dhe inovacion, si dhe për hartimin e një Plani të Përbashkët të Veprimit.

Komisionerja Zaharieva e cilësoi këtë deklaratë si një kapitull të ri në bashkëpunimin ndërmjet BE-së dhe rajonit, në funksion të zhvillimit të kërkimit shkencor dhe integrimit evropian.

Në kuadër të aktivitetit u ndanë edhe çmimet për inovacion, me të cilat u vlerësuan inovatorë të rinj nga rajoni. Kosovën e përfaqësoi Arbnora Kllokoqi, themeluese e platformës “Mendje”, e cila përdor teknologjinë për të lehtësuar qasjen në shërbimet e shëndetit mendor, duke lidhur shqipfolësit me psikologë të licencuar që kuptojnë gjuhën dhe kontekstin e tyre kulturor.

Kusari-Lila prezantoi nismat e Kosovës për zhvillimin e ekosistemit të inovacionit dhe potencialin e vendit për rritje të mëtejshme në këtë fushë. Ajo theksoi se sektori i shërbimeve ka bilanc pozitiv tregtar dhe mundësi për të dhënë kontribut edhe më të madh në zhvillimin ekonomik të vendit.

Si pjesë të këtij angazhimi, ministrja Kusari-Lila veçoi investimet në infrastrukturën teknologjike dhe industriale, përfshirë 8 milionë euro të investuara nga shteti në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren (ITP). Krahas zhvillimit të infrastrukturës, MINTI po mbështet bizneset dhe ndërmarrësit përmes skemave financiare.

Gjatë vitit 2026, mbështetja e paraparë përfshin 1.9 milionë euro për 34 ndërmarrje dhe 15 start-up-e, 1 milion euro për 42 përfitues në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK), 1.16 milionë euro për inovacionin në TIK, si dhe 1 milion euro për gratë ndërmarrëse.

Këto masa synojnë të ndihmojnë bizneset dhe ndërmarrësit që idetë inovative t’i shndërrojnë në produkte, shërbime dhe veprimtari konkurruese, duke krijuar mundësi të reja zhvillimi dhe punësimi.

Takimi u përmbyll me zotimin e përbashkët për avancimin e objektivave të dakorduara dhe thellimin e bashkëpunimit rajonal e evropian në kërkimin shkencor dhe inovacion.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors