Paneli i planifikuar për ditën e djeshme në kuadër të samitit ndërkombëtar të teknologjisë dhe inovacionit, Web Summit, u mbajt sot në Lisbonë të Portugalisë, ku ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, diskutoi për perspektivën evropiane të Kosovës dhe zgjerimin e Bashkimit Evropian.
Paneli me temën “Zgjerimi i BE-së: Sa më e madhe, aq më mirë?”, u moderua nga gazetarja polake Dominika Tarczyńska. Gjatë diskutimit, ministrja Kusari-Lila theksoi se rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian mbetet e pakompromis dhe se historia e integrimit evropian nuk është e plotë pa përfshirjen e Ballkanit Perëndimor.
Një pjesë e diskutimit iu kushtua edhe luftës në Ukrainë dhe qëndrimit të Kosovës ndaj këtij shteti. Ministrja ritheksoi mbështetjen e Kosovës për Ukrainën dhe popullin e saj, duke theksuar se ajo bazohet në parimet e lirisë, së drejtës dhe sovranitetit territorial, si dhe në të drejtën e popullit ukrainas për liri, pavarësi dhe sovranitet.
Ministrja tha se anëtarësimi në Këshillin e Evropës dhe avancimi drejt statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian përbëjnë hapa të rëndësishëm në rrugëtimin evropian të Kosovës. Kusari-Lila nënvizoi gjithashtu rëndësinë e reformave dhe forcimit të institucioneve për ndërtimin e një vendi më të zhvilluar dhe më të integruar në familjen evropiane.

