Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, mori pjesë në aktivitetin “Impact Breakfast”, të organizuar nga Innovation Centre Kosovo (ICK), me drejtoreshë Dorina Grezda, në kuadër të Javës Botërore të Ndërmarrësisë.
Në këtë takim, ku morën pjesë drejtues të kompanive, investitorë, themelues të startup-eve, përfaqësues të bizneseve të diasporës dhe partnerë zhvillimorë, ministrja prezantoi reformat dhe politikat e MINTI-t në fushën e inovacionit dhe ndërmarrësisë.
Një ndër nismat kryesore të prezantuara ishte Ligji për Inovacion dhe Ndërmarrësi, i cili ka kaluar leximin e parë dhe pritet të shqyrtohet në lexim të dytë. Sipas ministres, ligji parasheh themelimin e Fondit të Inovacionit, krijimin e një departamenti të dedikuar për politikat e inovacionit brenda Ministrisë dhe themelimin e Agjencisë për Inovacion dhe Ndërmarrësi.
Kusari-Lila foli edhe për konceptin e zhvillimit të parqeve industriale me klasterë të specializuar, standarde ekologjike dhe parime të ekonomisë qarkore. Ajo theksoi se bizneset duhet të përfshihen drejtpërdrejt në proceset vendimmarrëse, ndërsa promovimi i kompanive kosovare në tregjet ndërkombëtare mbetet pjesë e angazhimit të Ministrisë.
Gjatë bashkëbisedimit me komunitetin e biznesit, përfaqësuesit e kompanive dhe startup-eve paraqitën sfidat dhe nevojat e tyre, duke përfshirë mekanizma më fleksibilë të financimit, mbështetjen për zgjerimin e bizneseve, forcimin e bashkëpunimit dhe lehtësimin e procedurave për tërheqjen e investimeve të huaja.
Në diskutim u trajtua edhe ndikimi i inteligjencës artificiale në zhvillimin ekonomik dhe mundësitë për ta ndërlidhur atë me prodhimin e mençur dhe ekonominë qarkore. Ministrja theksoi rëndësinë që Kosova të shfrytëzojë potencialin e saj njerëzor dhe teknologjik për të rritur inovacionin dhe konkurrueshmërinë e bizneseve.

