Ministrja Kusari-Lila prezanton agjendën ekonomike të MINTI-it para komunitetit të biznesit

Prishtinë,
27/03/2026

Gjatë takimit, ajo prezantoi vizionin dhe programin e Ministrisë, duke vënë theks në prioritetet e politikave publike dhe agjendën legjislative që synon avancimin e kornizës rregullative për krijimin e një mjedisi më të favorshëm për të bërit biznes në Kosovë. Në fokus ishin edhe projektet kryesore, përfshirë transformimin e gjelbër të parqeve industriale dhe ndërtimin e parqeve të reja mbi parimet e ekonomisë qarkore.

Një ndër objektivat strategjikë të përmendur ishte adresimi i deficitit tregtar, përmes mbrojtjes dhe promovimit të prodhimit vendor, përfshirë trajtimin preferencial në kontratat publike.

Ministrja prezantoi gjithashtu ligjet prioritare që janë në proces apo në planifikim, si ligji për çmimet tavan në përgjigje ndaj situatave të krizës, ligji për inovacion dhe ndërmarrësi, si dhe ligji për pagesat e vonuara, të ndërlidhura me agjendën e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian. Po ashtu, u diskutuan edhe ligje të tjera me ndikim të drejtpërdrejtë në biznes, përfshirë ligjin për tregtinë e brendshme, ligjin për cilësinë e derivateve dhe ligjin për shoqëritë tregtare.

Në takim u theksua edhe rëndësia e transformimit digjital, përmes avancimit të platformës së regjistrimit të bizneseve, e cila synon të gjenerojë të dhëna të besueshme për institucionet dhe investitorët, duke përfshirë indikatorë të performancës, vlerësimit, shpërndarjes gjeografike dhe përfaqësimit gjinor.

Në këtë kontekst, si prioritet u përmend edhe transformimi i KIESA, proces që tashmë ka nisur dhe përfshin mbështetjen për start-up-et, përfshirjen e grave dhe komuniteteve jo-shumicë, si dhe funksionalizimin e Fondit për Inovacion. Po ashtu, integrimi i arsimit dual profesional mbetet pjesë e rëndësishme e kësaj qasjeje zhvillimore.

Mbrojtja e konsumatorit u vlerësua si thelbësore, ndërsa u theksua se po avancohen kapacitetet e Inspektoratit Qendror për të garantuar standarde më të larta në treg.

Diskutimet përfshinë edhe zhvillimet globale dhe rajonale, si menaxhimi i krizës së naftës dhe opsionet për vendin, hapat drejt ndërtimit të industrisë së mbrojtjes, thjeshtimin e kornizës ligjore për sektorin minerar, si dhe nevojën për avancim në fushën e kërkimit dhe testimit të zgjidhjeve teknologjike.

Ministrja theksoi rëndësinë e përgjegjësisë sociale korporative dhe gatishmërinë e Qeverisë për të ndërtuar një partneritet të qëndrueshëm dhe konstruktiv me komunitetin e biznesit.

Takimi u vlerësua si një mundësi për shkëmbim të hapur dhe konstruktiv, me synimin e përbashkët për lehtësimin e të bërit biznes dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës.

 

Gallery Image

Gallery Image

Gallery Image

Gallery Image

Gallery Image

Gallery Image

Gallery Image

Gallery Image

Gallery Image

Gallery Image

Gallery Image

Gallery Image

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors