Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, priti në takim Donikë Beqirin, menaxhere e Intervenimeve në kuadër të projektit RECONOMY, të zbatuar nga Help Kosova dhe Edona Durakun, Drejtoreshë Ekzekutive e Asociacionit të Udhëheqësve të Shërbimeve të Biznesit (ABSL Kosovo).
Në takim u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit në zhvillimin dhe fuqizimin e sektorit të shërbimeve të jashtme të biznesit (BPO) në Kosovë, si dhe për potencialin e tij në krijimin e vendeve të punës, nxitjen e inovacionit dhe zgjerimin e veprimtarisë së kompanive vendore në tregjet ndërkombëtare.
Përmes projektit RECONOMY, Help Kosova synon të kontribuojë në zhvillimin e këtij sektori, duke promovuar mundësi të reja për rritje dhe punësim. Ndërkaq, ABSL Kosovo përfaqëson kompanitë që operojnë në fushat e shërbimeve të jashtme të biznesit (BPO), teknologjisë informative (ITO), si dhe kërkimit dhe zhvillimit (R&D).
Përmes bashkëpunimit me industrinë dhe institucionet, ABSL Kosovo synon tërheqjen e investimeve dhe pozicionimin e Kosovës si destinacion konkurrues në Evropë për ofrimin e këtyre shërbimeve për kompani ndërkombëtare.
Sektori i shërbimeve të jashtme të biznesit paraqet potencial për zhvillimin ekonomik të vendit, duke u mundësuar kompanive që operojnë në Kosovë të ofrojnë shërbime për tregjet ndërkombëtare, të krijojnë vende të reja pune dhe të zhvillojnë kapacitete profesionale me vlerë të shtuar.
