Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, zhvilloi një takim me 19 biznese dhe investitorë nga Japonia, në kuadër të Forumit të Brezovicës.
Delegacioni japonez u udhëhoq nga i ngarkuari me punë në Ambasadën e Japonisë në Kosovë, Hiroyasu Tanigaki, dhe ambasadori i Kosovës në Japoni, Sabri Kiçmari.
Kjo është vizita e dytë e bizneseve dhe investitorëve japonezë në Kosovë, pas asaj të realizuar vitin e kaluar. Gjatë takimit, ministrja Kusari-Lila shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Japonia dhe populli japonez i kanë dhënë Kosovës, duke theksuar rëndësinë e komunikimit të drejtpërdrejtë dhe intensifikimit të bashkëpunimit me kompanitë japoneze.
Gjatë bashkëbisedimit, ministrja prezantoi potencialet ekonomike të Kosovës dhe reformat strategjike, përfshirë Strategjinë Industriale 2030 dhe vizionin për rritjen e konkurrueshmërisë së vendit.
Në takim u diskutuan edhe planet zhvillimore dhe infrastruktura hekurudhore, mundësitë për ndërtimin e kapaciteteve të reja të energjisë së pastër, përmirësimi i kapaciteteve logjistike dhe zgjidhjet për menaxhimin e transportit të mallrave.
Një nga fushat me potencial për bashkëpunim u vlerësua edhe sektori i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK), veçanërisht zhvillimi i sistemeve softuerike. Në këtë drejtim, Kusari-Lila tha se të rinjtë dhe talentet e Kosovës po tërheqin gjithnjë e më shumë vëmendjen e tregjeve globale.
Takimi në kuadër të Forumit të Brezovicës shërbeu si mundësi për shkëmbimin e informatave dhe diskutimin e fushave konkrete ku mund të zhvillohet bashkëpunimi ndërmjet bizneseve të Kosovës dhe Japonisë.
