Ministrja Kusari-Lila takoi investitorë nga diaspora, kompania “Hapu” shqyrton prodhimin në Kosovë

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka pritur në takim përfaqësuesit e kompanisë “Hapu”, Bekim Mazrekun nga Kosova dhe Fejsal Bajramin nga Maqedonia e Veriut, dy ndërmarrës të suksesshëm që prej vitesh zhvillojnë aktivitetin e tyre biznesor në Gjermani.

Takimi vjen pas pjesëmarrjes së përbashkët në konferencën ndërkombëtare për investime “Future Industry Minds”, të mbajtur në Këln të Gjermanisë, ku Kosova ishte shtet partner dhe ku u prezantuan mundësitë investuese që ofron vendi.

Gjatë takimit në MINTI, përfaqësuesit e kompanisë “Hapu” shprehën interesimin për të sjellë në Kosovë prodhimin e derës inovative kundër zjarrit dhe për evakuim emergjent, një teknologji e patentuar për tregun evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kinën.

Bekim Mazreku, shpikësi i kësaj teknologjie, e ka prezantuar produktin në panairin ndërkombëtar FeuerTrutz në Nürnberg, ndërsa tani synon që prodhimi i saj të zhvillohet në Kosovë, duke krijuar një produkt me vulën “Made in Kosova”.

Ministrja Kusari-Lila bëri të ditur se gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, investitorët do të vizitojnë për dy ditë me radhë zonat industriale ekzistuese dhe ato të reja, si dhe do të zhvillojnë takime me institucione që mbështesin investimet dhe zhvillimin e biznesit, përfshirë Fondin Kosovar për Garanci Kreditore dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Ajo theksoi se fokusi i Qeverisë së Kosovës dhe i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit mbetet rritja e kapaciteteve prodhuese në vend dhe krijimi i kushteve sa më të favorshme për investitorët vendorë dhe bizneset e diasporës që dëshirojnë të investojnë në Kosovë.

Sipas Kusari-Lilës, interesimi i kompanive të suksesshme të diasporës për të zhvendosur ose zgjeruar prodhimin në Kosovë është dëshmi e potencialit që ofron vendi për investime të reja, zhvillim industrial dhe krijim të vendeve të punës.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors