Ministrja Kusari-Lila takoi kryetarët e komunave për zhvillimin e 14 parqeve industriale

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka zhvilluar takim me kryetarë dhe përfaqësues të dhjetë komunave të Kosovës, ku është diskutuar vizioni i ri për zhvillimin e parqeve industriale dhe teknologjike në vend.

Në takim morën pjesë përfaqësues nga komunat Drenas, Gjilan, Lipjan, Mitrovicë, Podujevë, Rahovec, Shtime, Suharekë, Viti dhe Vushtrri. Diskutimet u fokusuan në planifikimin e parqeve sipas standardeve moderne, me theks të veçantë në ekonominë qarkore dhe simbiozën industriale, ku mbetjet e një industrie shfrytëzohen si resurse për industri të tjera.

Sipas ministres Kusari-Lila, në bashkëpunim me komunat dhe sektorin privat do të përcaktohet destinimi sektorial i parqeve industriale, me qëllim krijimin e klasterëve të industrive të ndërlidhura dhe tërheqjen e investitorëve të mëdhenj të huaj. Po ashtu, gjatë takimit janë prezantuar edhe modelet e menaxhimit të parqeve, të hartuara me mbështetjen e German Economic Team (GET), për të siguruar funksionim dhe menaxhim efikas të tyre.

Qeveria e Kosovës planifikon që në katër vitet e ardhshme të zhvillojë 14 parqe industriale dhe teknologjike në gjithë vendin, me një investim fillestar prej 30 milionë eurosh. Këto projekte synojnë forcimin e industrisë vendore, rritjen e eksporteve, tërheqjen e investimeve të huaja, krijimin e vendeve të reja të punës dhe uljen e ndikimit në mjedis.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors