Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, priti në takim kryetarin e Bashkisë Metropolitane të Izmirit, Dr. Cemil Tugay, së bashku me bashkëpunëtorët e tij nga Republika e Turqisë.
Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Izmirit, me fokus të veçantë në zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike, nxitjen e investimeve dhe krijimin e lidhjeve të reja ndërmjet bizneseve të të dyja vendeve.
Ministrja Kusari-Lila vlerësoi rëndësinë e veçantë që Izmiri ka për Kosovën, duke theksuar lidhjet e fuqishme njerëzore ndërmjet dy vendeve. Në këtë qytet jetojnë numër i madh qytetarësh me origjinë nga Kosova, të cilët përbëjnë një urë të rëndësishme ndërmjet dy vendeve.
Në aspektin ekonomik, u theksua rëndësia e nxitjes së bizneseve prodhuese me bazë në Izmir për të investuar në Kosovë, duke shfrytëzuar përparësitë që ofron vendi, përfshirë politikat fiskale, afërsinë me tregun e Bashkimit Evropian, fuqinë punëtore të kualifikuar, si dhe mundësitë që krijohen përmes marrëveshjes së tregtisë së lirë me EFTA-n dhe tri protokollet e CEFTA-s, të ratifikuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në prill të këtij viti.
Në kuadër të zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik, gjatë takimit u diskutua edhe për organizimin e Forumit Ekonomik dhe Kulturor në Izmir, i cili planifikohet të mbahet në muajin nëntor. Në kuadër të forumit pritet të zhvillohen takime B2B ndërmjet bizneseve të Kosovës dhe Izmirit, me fokus në sektorë si industria e metalit, plastika, përpunimi i ushqimit, tekstili dhe turizmi.
Një çështje tjetër me rëndësi ishte mundësia e vendosjes së një linje të drejtpërdrejtë ajrore ndërmjet Prishtinës dhe Izmirit. Një lidhje e tillë do të kontribuonte në forcimin e mëtejshëm të lidhjeve njerëzore, zhvillimin e turizmit dhe rritjen e shkëmbimeve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.
Takimi u vlerësua si një mundësi e mirë për të avancuar bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Izmirit dhe për të krijuar mundësi të reja për investime, partneritete biznesore dhe lidhje më të fuqishme ekonomike ndërmjet dy vendeve.

