Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, priti në takim Tim Dardania nga Dardania Logistics dhe Robert Hawthorn nga Southern Refrigerated Transport, përfaqësues të kompanive australiane të specializuara në logjistikë dhe transport.
Gjatë takimit është diskutuar për mundësinë e zhvendosjes së një pjese të operacioneve të këtyre kompanive në Kosovë dhe krijimin e një qendre logjistike, përmes së cilës do të mund të mbulohej tregu i Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë.
Në takim është diskutuar edhe për zhvillimin e parqeve industriale dhe krijimin e hapësirave dhe kushteve për investitorët që synojnë të zhvillojnë aktivitetet e tyre në Kosovë.
Kusari-Lila dhe përfaqësuesit e kompanive kanë diskutuar gjithashtu për mundësitë konkrete të mbështetjes institucionale për investimet, përfshirë instrumentet e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore.
Ministrja ka theksuar rëndësinë e diasporës në krijimin e lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe tregjeve ndërkombëtare, duke vënë në pah nevojën për krijimin e mundësive për pjesëtarët e diasporës që Kosovën e konsiderojnë si destinacion për investime të reja.
Sipas saj, tërheqja e investimeve dhe zhvillimi i kapaciteteve prodhuese e logjistike në Kosovë janë pjesë e angazhimeve për rritjen e aktivitetit ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
