Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, priti në takim përfaqësuesit e Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), Drejtorin Ekzekutiv, Dren Puka, dhe Drejtoreshën për Grante, Edona Krasniqi, me të cilët diskutoi për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve publike dhe organizatave të shoqërisë civile.
Gjatë takimit u diskutua rëndësia e përfshirjes së shoqërisë civile në zhvillimin e politikave publike, me theks të veçantë në përmirësimin e proceseve të konsultimit publik, me qëllim rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe cilësisë së vendimmarrjes.
Ministrja Kusari-Lila kërkoi mbështetjen dhe ekspertizën e KCSF-së në avancimin e kornizës rregullative për skemat e granteve të MINTI-t, duke u bazuar në përvojën e kësaj organizate në zbatimin e skemave të financuara nga donatorët ndërkombëtarë. Qëllimi është ndërtimi i një sistemi më efikas, transparent dhe të orientuar drejt rezultateve, përmes të cilit të identifikohen dhe mbështeten bizneset me potencial për zëvendësimin e produkteve dhe shërbimeve që importohen, si dhe për rritjen e pranisë së tyre në tregjet ndërkombëtare.
Po ashtu, gjatë takimit u diskutua edhe për angazhimin e KCSF-së në hartimin e akteve nënligjore për funksionalizimin e Regjistrit të Pronarëve Përfitues, si një mekanizëm i rëndësishëm për rritjen e transparencës në sektorin privat dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian.
Ministrja Kusari-Lila theksoi se bashkëpunimi me organizatat e shoqërisë civile mbetet një pjesë e rëndësishme e planit të reformave institucionale të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit.