Në kuadër të pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik të Vjenës, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, zhvilloi një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë Federale për Ekonomi, Energji dhe Turizëm të Republikës së Austrisë, Dr. Severin Gruber.
Gjatë takimit u diskutua për Agjendën e Rritjes së Bashkimit Evropian si një mundësi e rëndësishme për avancimin e reformave dhe realizimin e investimeve konkrete në Kosovë, me fokus në zhvillimin ekonomik, energjinë, digjitalizimin dhe infrastrukturën. Vëmendje e veçantë iu kushtua bashkëpunimit në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (ICT), shërbimeve digjitale dhe inovacionit, sektorë që paraqesin potencial të lartë për eksport dhe partneritet me kompanitë austriake.
Palët diskutuan gjithashtu mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në zhvillimin e parqeve industriale dhe teknologjike, energjinë e ripërtëritshme, infrastrukturën, turizmin dhe projekte të tjera zhvillimore me interes të përbashkët.
Ministrja Kusari-Lila theksoi se Austria mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm të Kosovës dhe se synim i institucioneve të vendit është që bashkëpunimi ekonomik ndërmjet dy vendeve të konkretizohet përmes projekteve të reja që nxisin investimet, zhvillimin ekonomik dhe krijimin e mundësive të reja për bizneset dhe të rinjtë në Kosovë.