Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka pritur në takim përfaqësuesit Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, në kuadër të takimeve me përfaqësuesit e organizatave të biznesit për të forcuar dialogun e strukturuar dhe për të rritur efikasitetin në zbatimin e reformave.
Ministrja Kusari-Lila tha se përfaqësuesit e kësaj dhome u dakorduan për thellimin e bashkëpunimit, me fokus në adresimin e barrierave për bizneset, rritjen e prodhimit vendor dhe avancimin e konkurrueshmërisë.
Sipas ministres, MINTI është ura lidhëse mes politikave zhvillimore të Qeverisë dhe sektorit privat.
Ministrja vuri theksin te angazhimi që politikat pro-biznes të mos mbesin vetëm në letër, por të përkthehen në masa konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen ekonomike.
“Theksova rolin kyç që kjo dhomë ka si përfaqësuese e interesave të sektorit privat dhe si partnere në ndërtimin e politikave që nxisin zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Rikonfirmova mbështetjen time të plotë për fuqizimin e bizneseve private, me synim rritjen e eksporteve, tërheqjen e investimeve vendore dhe ndërkombëtare, si dhe krijimin e një klime më të favorshme për ndërmarrësi në Republikën e Kosovës”, tha ministrja Kusari-Lila.
