Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, zhvilloi një vizitë në Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare, ku u prit nga zëvendësambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, Christian Bottcher, dhe drejtori ekzekutiv i Odës, Besnik Vasolli.
Gjatë takimit u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, me fokus të veçantë në avancimin e arsimit dual, krijimin e mundësive të reja për bizneset kosovare dhe organizimin e Forumit të Përbashkët Ekonomik Gjermano-Kosovar, si platformë për lidhjen e investitorëve dhe kompanive nga të dy vendet.
Ministrja Kusari-Lila theksoi se zhvillimi i Parqeve Industriale Ekologjike mbetet një nga prioritetet kryesore të MINTI-t, me synimin që Kosova të pozicionohet si qendër moderne industriale dhe model i zhvillimit të qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor. Në takim u diskutua edhe për lidhjen e iniciativave të arsimit dual me nevojat reale të industrisë, si dhe për forcimin e bashkëpunimit me diasporën shqiptare në Gjermani përmes mekanizmave të përbashkët që mbështesin bizneset vendore, bizneset e diasporës dhe kompanitë gjermane të interesuara për investime në Kosovë.
Bashkëbiseduesit vlerësuan se Gjermania vazhdon të jetë një nga partnerët më të rëndësishëm ekonomikë të Kosovës dhe u pajtuan për vazhdimin e bashkëpunimit në projekte që nxisin investimet, punësimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në vend.