Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, më 19 janar 2022, mori pjesë në debatin FOL Hapur të organizuar nga Lëvizja FOL.
Temë diskutimi ishte realizimi i Planit të Punës së Qeverisë për periudhën mars-dhjetor 2021, prioritetet si dhe sfidat me të cilat është ballafaquar Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Fillimisht, Ministrja Hajdari prezantoi të arriturat e planit strategjik të MINT për vitin 2021, të cilat janë: Përmirësimi i mjedisit të të bërit biznes; Zhvillimi i politikave industriale dhe tregtare; Zhvillmi i ndërmarrësisë, inovacionit dhe pronësisë industriale; Zhvillimi i qëndrueshëm nëpërmjet turizmit; Promovimi dhe përkrahja e investimeve si dhe Përmirësimi i infrastrukturës së cilësisë, duke përfshirë mbrojtjen e konsumatorit.
Ministrja Hajdari theksoi se MINT ka arritur të zbatojë 80% të masave si obligime që rrjedhin nga Plani i Agjendës Evropiane përfshirë këtu zbatimin e MSA-së, ku 11 ligje janë miratuar në Qeveri, disa nga to, veçse janë aprovuar në Parlament dhe 4 ligje janë në procedurë të miratimit.
Në vazhdën e të arriturave të MINT, znj. Hajdari përmendi përmirësimin e mbikëqyrjes së tregut, në të cilën ka pasur 54 % rritje të inspektimeve në krahasim me vitin paraprak. U potencuan të arriturat rreth mundësisë së bizneseve të përfitimit në Programin e Tregut të Përbashkët, masat mbrojtëse në fushën e tregtisë, strategjinë dhe krijimin e brendit të turizmit për Kosovë, etj.
Ministrja Hajdari theks të veçantë i kushtoi rritjes së investimeve të huaja direkte, ku në vitin 2021 ka pasur për 52.9% më shumë investime krahasuar me vitin 2020. Rritja e vlerës së eksporteve për 62.7% në krahasim me vitin paraardhës bazuar në raportin e Bankës Qendrore të Kosovës. Rritja e besimit në qeverisjen e re, ku janë pranuar 300% më shumë ankesa të konsumatorëve të adresuara në MINT. Në lidhje me shkeljet e të drejtave të konsumatorëve në tregun vendor, janë adresuar 2000 ankesa që kishin të bëjnë me kualitetin dhe cilësinë e produkteve dhe shërbimeve.
Në përmbyllje të debatit Fol Hapur, Ministrja Hajdari bashkëbisedoi me përfaqësuesit e mediave dhe i njoftoi për prioritetet e MINT për vitin 2022.
