Inaugurimi i sotëm i Qendrës për Inovacion dhe Ndërmarrësi, në ambientet e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, në kuadër të Universitetit të Prishtinës, është hapi i radhës drejt krijimit dhe zhvillimit të ekosistemit të inovacionit dhe teknologjisë dhe mundësi për absorbimin e njohurive të reja, nxitjen dhe promovimin e inovacionit dhe teknologjisë së dobishme, nëpërmjet aktiviteteve thelbësore që zhvillojnë idetë inovative për produkte, shërbime dhe procese të reja.
Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë u funksionalizua si rezultat i realizimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit në mes Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe Universitetit të Prishtinës Hasan Prishtina, pas renovimit të hapësirave dhe investimit rreth 1 milion euro për adaptim dhe funksionalizim si dhe blerje të pajisjeve të nevojshme për TIK.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, shprehu mbështetjen e plotë të Qeverisë së Kosovës për zhvillimin e inovacionit dhe teknologjisë në vendin tonë, duke theksuar nevojën e ndërlidhjes së akademisë me inovacionin dhe industrinë.
Ndërsa Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, me këtë rast deklaroi se kërkimi, zhvillimi dhe inovacioni janë shtytësit kryesorë për zhvillimin ekonomik, teknologjik dhe social.
Ministrja Hajdari shprehu vizionin për të vazhduar me përkrahjen për nxitjen e inovacionit me ndikim në ndërmarrësi, me investime kapitale në parqe industriale e teknologjike, qendrat e inovacionit dhe ndërmarrësisë, inkubatorëve të ndryshëm, si dhe përkrahjen direkte për bizneset me skemat e reja të granteve për inovacion, me synim zhvillimin e ekosistemit te inovacionit, si ndërveprimin e të gjithë akterëve kryesorë të përfshirë në aktivitete inovative në vend dhe më gjerë.
Bizneset që ndërmarrin kërkime rriten më shpejt, arrijnë norma më të larta eksporti dhe krijojnë më shumë punësim, duke u integruar kështu më shpejt me produktet e tyre me vlerë të shtuar në zinxhirin global të vlerës, shtoi Ministrja Hajdari.
Pas ceremonisë së inaugurimit, të pranishmit vizituan edhe hapësirat e Qendrës për Inovacion dhe Ndërmarrësi.








