MINT po punon për të zbatuar Ligjin për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme, që ka hyrë në fuqi më 13 mars 2022. MINT po siguron mbikëqyrjen e duhur të tregut të naftës duke vepruar përmes Inspektoratit të Tregut dhe duke bashkëpunuar ngushtë me Doganën e Kosovës.
Së fundmi, Dogana ka kryer analiza dhe kontrolle te 4 subjekte që merren me përpunimin e produkteve të naftës, dhe ka gjetur parregullsi të shumta që pengojnë mbikëqyrjen, rrezikojnë cilësinë e produkteve dhe mund t’i sjellin dëm buxhetit të shtetit. Rrjedhimisht, Dogana ia ka pezulluar autorizimet ose nuk ia ka vazhduar autorizimet këtyre subjekteve.
Disa nga subjektet u kanë shitur produkte të naftës kompanive të palicencuara, nuk kanë përdorur mjete matëse të verifikuara, si dhe kanë shmangur akcizën duke deklaruar gabimisht përbërjen e produktit. Këto veprime e mosveprime përbëjnë shkelje të ligjit. Andaj, MINT ua ka revokuar ose pezulluar këtyre subjekteve lejet për importin e lëndës së parë, deponimin e lëndës së parë dhe produktit final, si dhe shitjen me shumicë të produktit final – që është vaji i rëndë ose mazut. Njërit subjekt i është pezulluar edhe leja për importin e vajrave të rënda.
Ndaj po të njëjtit subjekt, MINT po zhvillon tani procedura për mashtrim me cilësinë e karburanteve, që subjekti ua ka shitur institucioneve publike. Gjatë javëve të fundit, kemi marrë dhe testuar disa mostra të dizelit në kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, dhe kemi gjetur shumë raste të jokonformitetit. Në një rast kemi gjetur dizel me përmbajtje të squfurit (sulfurit) prej 77,4 mg/kg, që tejkalon shumëfish shkallën e lejuar prej 10 mg/kg.
Për këto raste MINT po njofton edhe prokurorinë. Cilësia e naftës është tejet e rëndësishme për sigurinë shtetërore, për shëndetin publik dhe për mjedisin!
Në ndërkohë, Inspektorati i Tregut po punon intensivisht për zbatimin e ligjit të naftës. Në bashkëpunim me Doganën dhe Administratën Tatimore, Inspektorati ka gjetur se një numër i madh i shitësve kanë tejkaluar marzhën tregtare të lejuar me vendimin e Qeverisë. Andaj ka lëshuar urdhra me shkrim për respektimin e vendimit dhe ka nisur procedurat kundërvajtëse në gjykatë për të gjobitur shkelësit e ligjit.
Krahas përpjekjeve të lartcekura, MINT po punon për përgatitjen e akteve nënligjore që parashihen me ligjin e ri të naftës.

