Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka shënuar Ditën Botërore të Turizmit, tashmë si ngjarje tradicionale me shumë aktivitete që këtë herë u mbajt në fshatin Belle të Komunës së Deçanit.
Për Ditën Botërore të Turizmit 2023, Organizata Botërore e Turizmit e Kombeve të Bashkuara (UNWTO) thekson nevojën për më shumë investime të gjelbra dhe të synuara më mirë për njerëzit, për planetin dhe për prosperitet.
Ministrja Hajdari theksoi rëndësinë për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit si një ndër prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, gjersa ekziston një potencial i madh për zhvillimin e këtij sektori ndikim në zhvillimin socio ekonomik dhe rritjen e punësimit.
Ajo shpalosi vizionin që Kosova deri në vitin 2030 të shndërrohet në destinacion të qëndrueshëm turistik dhe konkurrent në Ballkanin Perëndimor, përmes zbatimit të Strategjisë për Turizmin 2030 të hartuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Për më shumë, Ministrja Hajdari njoftoj për progresin në plotësimin e infrastrukturës ligjore dhe ndërtimin e mekanizmave dhe skemave mbështetëse për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit natyror dhe kulturor, përfshirë përmirësimin e statistikave, infrastrukturën, dixhitalizimin si dhe fondin për inovacion për zgjidhje të reja dhe inovative, jo vetëm për investime tradicionale që nxisin dhe mbështesin rritjen ekonomike dhe produktivitetin.
Shënimi i Ditës Botërore të Turizmit u karakterizua edhe me folklor e ekspozim të punimeve artizanale, veshje kombëtare e tradicionale të rajonit të Dukagjinit. Aktiviteti u mbyll me ecje deri te parku i aventurave në fshatin Belle.
Shënimi i Ditës Botërore të Turizmit është aktivitet i përvitshëm që organizohet nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në bashkëpunim me shoqëritë civile dhe partnerët zhvillimor, në njërën nga destinacionet e pasura me shumë thesare natyrore dhe trashëgimi të turizmit kulturor në vendin tonë.
Në këtë vit, ngjarja u përkrah nga projekti PPSE me financim nga Zvicra.
Të ftuar në këtë ngjarje ishin kolegë qeveritar, kryetari i komunës së Deçanit, partnerë diplomatik dhe zhvillimor, organizata jo qeveritare të turizmit dhe akterë aktiv të turizmit.



















