MINTI dhe DAK-u në mbështetje të mbrojtjes së konsumatorit në shërbimet e ofruara nga trupat e vlerësimit te konformitetit

Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit të Kosovës (DAK), në bashkëpunim me Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit, që veprojnë në kaudër të Ministrisë së Industrisë, ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), të enjtën, kanë organizuar një takim me temë “Rëndësia e Kujdesit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Shërbimet e Ofruara nga Trupat e Vlerësimit të Konformitetit” për të ngritur vetëdijen dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, Trupave të Vlerësimit të Konformitetit (TVK) dhe organizatave për mbrojtjen e konsumatorit.

Takimi u fokusua në rolin e rëndësishëm që ka vlerësimi i konformitetit në garantimin e cilësisë dhe sigurisë së produkteve dhe shërbimeve, si dhe në mbrojtjen e interesave të konsumatorëve.

Në këtë takim, Drejtori i Përgjithshëm i DAK-ut, z. Irfan Lipovica, ka folur për rëndësinë e mbrojtjes së konsumatorit dhe për rolin që e ka sistemi i akreditimit në krijimin e besimit në treg. Ai vuri në pah se një sistem funksional i vlerësimit të konformitetit kontribuon drejtpërdrejt në sigurinë, cilësinë dhe transparencën e produkteve dhe shërbimeve, që u ofrohen qytetarëve.

Po ashtu edhe këshilltari politik, z. Ali Tafarshiku, ka folur për rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe të angazhimit të të gjithë aktorëve relevantë në forcimin e mekanizmave për mbrojtjen e konsumatorit.

Kontribut në takim ka dhënë edhe z. Granit Sokolaj, nga OJQ ALERT, i cili ka trajtuar rëndësinë e informimit dhe ndërgjegjësimit të konsumatorëve, si dhe nevojën për një bashkëpunim më të fuqishëm ndërmjet institucioneve dhe organizatave që veprojnë në fushën e mbrojtjes së konsumatorit.

Ndërsa, për rolin dhe rëndësinë e Trupave të Vlerësimit të Konformitetit, ka folur znj. Safete Rexhepi nga DAK-u, e cila e ka shpjeguar funksionin e tyre në verifikimin e përputhshmërisë së produkteve, shërbimeve dhe proceseve me kërkesat teknike dhe cilësore të përcaktuara.

Ndërsa, drejtori i Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit, z. Nijazi Shala, ka prezantuar rëndësinë e mbrojtjes së konsumatorit dhe të bashkëpunimit ndërinstitucional në krijimin e një tregu më të sigurt, transparent dhe të besueshëm për qytetarët.

Në takim u theksua se vlerësimi i konformitetit është një mekanizëm i rëndësishëm për:

• rritjen e sigurisë së produkteve dhe shërbimeve;

• verifikimin e përmbushjes së kërkesave teknike dhe cilësore;

• reduktimin e rrezikut nga produktet jo të sigurta ose jo-konforme;

• rritjen e transparencës dhe besimit të konsumatorëve;

• mbështetjen e konsumatorëve në marrjen e vendimeve të informuara.

• Takimi shërbeu gjithashtu si një mundësi për shkëmbimin e përvojave, diskutimin e sfidave dhe identifikimin e mundësive për bashkëpunim të mëtejshëm ndërmjet institucioneve, Trupave të Vlerësimit të Konformitetit dhe organizatave për mbrojtjen e konsumatorit.

MINTI dhe DAK mbeten të përkushtuara në forcimin e sistemit kombëtar të akreditimit dhe në promovimin e cilësisë, sigurisë, transparencës dhe besimit në treg, në funksion të mbrojtjes së konsumatorit dhe interesit publik.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors