MINTI dhe Instituti GAP diskutojnë bashkëpunimin për reformat dhe integrimin evropian

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, priti në takim përfaqësuesit e Institutit GAP, Blendi Hasaj, dhe Nora Latifi Jashari, me të cilët diskutoi mundësitë e bashkëpunimit në kuadër të agjendës së reformave të MINTI-t dhe kontributin që mund të japë Instituti përmes ekspertizës së tij.

Gjatë takimit, vëmendje e veçantë iu kushtua politikave të Bashkimit Evropian që lidhen me Mekanizmin e Rregullimit Kufitar të Karbonit (CBAM), si dhe nevojës për rritjen e ndërgjegjësimit të bizneseve në Kosovë për detyrimet që rrjedhin nga ky mekanizëm, veçanërisht në proceset e monitorimit, raportimit dhe verifikimit (MRV). Në këtë drejtim, u diskutua edhe bashkëpunimi ndërmjet MINTI-t, odave ekonomike dhe Institutit GAP.

Palët biseduan gjithashtu për përfshirjen e Institutit GAP dhe organizatave të tjera të shoqërisë civile në hartimin dhe rishikimin e strategjive zhvillimore në fushat e industrisë, ndërmarrësisë dhe inovacionit, si dhe për mundësitë e forcimit të bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.

Ministrja Kusari-Lila theksoi se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve publike, shoqërisë civile dhe sektorit privat është thelbësor për avancimin e reformave, rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të Kosovës.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors