Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) dhe Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” kanë nënshkruar sot Memorandumin e Bashkëpunimit, i cili parasheh një partneritet pesëvjeçar në fushat e inovacionit, arsimit dhe zhvillimit ekonomik.
Memorandumi u nënshkrua nga ministrja Mimoza Kusari-Lila dhe Rektori i UP-së, Prof. Arben Hajrullahu, duke synuar forcimin e lidhjes ndërmjet akademisë dhe industrisë dhe vendosjen e dijes dhe hulumtimit shkencor në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit.
Përmes këtij bashkëpunimi parashihet avancimi i inovacionit, transformimit digjital dhe industrisë së gjelbër, mbështetja e start-up-eve dhe ndërmarrjeve të vogla e të mesme, si dhe krijimi i mundësive për praktika profesionale për studentët.
Po ashtu, do të angazhohet ekspertiza akademike në hartimin e politikave publike në fushën e investimeve, tregtisë dhe mbrojtjes së konsumatorit.
Në këtë kontekst, u theksua se kapitali njerëzor mbetet burimi kryesor i zhvillimit ekonomik, ndërsa investimi në arsim, kërkim shkencor dhe inovacion është thelbësor për ndërtimin e një ekonomie moderne dhe konkurruese.
Ky partneritet synon të kontribuojë në forcimin e lidhjes mes arsimit dhe tregut të punës, duke mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm dhe integrimin ekonomik të Kosovës në tregjet evropiane.