MINTI konkretizon bashkëpunimin me KRU “Hidroregjioni” në Prizren për verifikimin e ujëmatësve dhe mbrojtjen e konsumatorëve

Zyrtarë të Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës (AMK), së bashku me këshilltarin e Ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, kanë zhvilluar një takim me menaxhmentin e KRU “Hidroregjioni” në Prizren, të përfaqësuar nga kryeshefi ekzekutiv, Bekim Gashi.

Gjatë takimit u diskutuan dhe u konkretizuan format e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, me fokus në procesin e verifikimit të ujëmatësve dhe mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të konsumatorëve.

KRU “Hidroregjioni” në Prizren ka mbi 68 mijë konsumatorë. Që nga viti 2021, përmes projekteve të ndryshme, ndërmarrja ka arritur të instalojë mbi 35 mijë ujëmatës të rinj, duke kontribuar në matjen më të saktë të sasisë së ujit të shpenzuar nga konsumatorët.

Investimet në këtë drejtim pritet të vazhdojnë edhe gjatë vitit 2027, kur parashihet instalimi i rreth 4 mijë ujëmatësve të rinj.

Ndërkaq, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit është në proces të hartimit të Ligjit të ri për Metrologjinë, përmes të cilit synohet krijimi i një kornize më të avancuar ligjore për këtë fushë. Në kuadër të akteve nënligjore që do të nxirren në bazë të këtij ligji dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare, do të përcaktohen kërkesat për llojet e ujëmatësve që vendosen në tregun e Republikës së Kosovës, si dhe afatet dhe kushtet specifike për vlefshmërinë dhe verifikimin e tyre.

Ky bashkëpunim synon të kontribuojë në rritjen e saktësisë së matjeve, transparencën në faturimin e shërbimeve dhe forcimin e mbrojtjes së konsumatorëve.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors