Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit, ka nisur sot organizimin e një cikli takimesh me rrjetet e marketeve në Republikën e Kosovës, me qëllim të forcimit të mbrojtjes së konsumatorëve dhe parandalimit të praktikave të padrejta tregtare.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e pesë rrjeteve të mëdha të marketeve në vend u informuan lidhur me numrin dhe natyrën e ankesave të konsumatorëve për periudhën janar–shtator 2026.
Nga gjithsej 308 ankesa të konsumatorëve që kanë të bëjnë me marketet në Kosovë, mospërputhja e çmimit në raft me atë në arkë përbën kategorinë më të shpeshtë, me 47.7% të ankesave. Ankesat për produkte të skaduara përbëjnë 22.1%, ndërsa ato për produkte brenda afatit të përdorimit, por të dyshimta ose të dëmtuara, përbëjnë 13.0% të numrit të përgjithshëm të ankesave.
Përfaqësuesit e marketeve, prezantuan sfidat me të cilat përballen në përditshmërinë e tyre, duke veçuar veçanërisht mospërputhjen e çmimeve në rafte me ato në arkë. Si një ndër faktorët që ndikojnë në këtë problematikë, u theksua mungesa e stafit dhe ndërrimi i shpeshtë i punonjësve.
Gjatë takimit u dakordua që të organizohen sesione të përbashkëta informuese me menaxherët e marketeve, me qëllim të informimit të tyre mbi obligimet ligjore që rrjedhin nga Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorit, si dhe mbi masat ndëshkuese që mund të shqiptohen nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) në rast të shkeljeve të legjislacionit në fuqi.
Gjithashtu, zyrtarët e MINTI-t u kërkuan përfaqësuesve të rrjeteve të marketeve në Republikën e Kosovës që të angazhohen për krijimin e më shumë hapësirave në rafte për produktet vendore, me qëllim të promovimit dhe rritjes së prezencës së tyre në tregun vendor.
MINTI do të vazhdojë organizimin e nismave të tilla në bashkëpunim me rrjetet e marketeve, me synim rritjen e transparencës në treg, forcimin e mbrojtjes së konsumatorëve dhe parandalimin e praktikave të padrejta tregtare.