Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar sot në lexim të parë dy projektligje të propozuara nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, të cilat lidhen me zhvillimin e inovacionit dhe ndërmarrësisë, si dhe rregullimin e pagesave në transaksionet tregtare.
Projektligji për Inovacion dhe Ndërmarrësi është miratuar me 73 vota për. Ky projektligj përcakton parimet dhe mekanizmat institucionalë për mbështetjen, promovimin dhe nxitjen e inovacionit dhe aktiviteteve ndërmarrëse, duke krijuar bazë më të mirë për zhvillimin e ideve të reja dhe bizneseve inovative.
Ndërkaq, Projektligji për Pagesat e Vonuara në Transaksionet Tregtare është miratuar me 62 vota për. Qëllimi i tij është parandalimi i vonesave në pagesa dhe përcaktimi i rregullave të qarta për afatet e pagesave dhe interesin që aplikohet në rast të vonesave në transaksionet tregtare.
Dy projektligjet përbëjnë hapa në drejtim të krijimit të një mjedisi më të rregulluar për bizneset, duke synuar mbështetjen e inovacionit dhe ndërmarrësisë, si dhe forcimin e rregullave për pagesat në kohë në transaksionet tregtare.


