Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, ka pritur në takim kryetarin e Unionit të Turizmit të Kosovës, Baki Hotin, me të cilin ka diskutuar për ndikimin e pandemisë Covid-19 në sektorin e turizmit.
Ministri Krasniqi theksoi se temë e këtij takimi ishte publikimi i formës së anketës, ku Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), në bashkëpunim me Unionin e Turizmit të Kosovës (UKT), ka filluar hulumtimin për ndikimin e pandemisë COVID -19 në sektorin e turizmit.
Sipas tij, hulumtimi do të përfshijë bizneset turistike dhe hoteliere, më saktësisht do të përfshijë sektorin e akomodimit, tour operatorët dhe agjencitë turistike, agjencitë transportuese, sektorin e gastronomisë, guidat turistike, si dhe lokalitete turistike.
Ministri i MTI-së, Vesel Krasniqi dhe kryetari i UTK-së, Baki Hoti vlerësuan se ky hulumtim ka për qëllim të identifikojë të dhëna rreth ndikimit që ka shkaktuar pandemia nga muaji mars deri në dhjetor të vitit 2020 dhe humbjet e shkaktuara në aspektin ekonomik, në punësim, si dhe nevojat për rimëkëmbjen e këtij sektori.
Anketa në gjuhën shqip: https://forms.gle/Ma2CUwBWUj2o719F9
Anketa na srpskom jeziku: https://forms.gle/MAeDxeY8E9DHJWrX6