MTI i informon bizneset e rajonit të Gjilanit

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në bashkëpunim me Komunën e Gjilanit dhe përkrahjen e AZHR Lindje, mbajtën konferencën informuese me bizneset e rajonit të Gjilanit.

Kjo konferencë është organizuar në kuadër të “Ditëve të Biznesit të Vogël 2016”, ku të pranishëm ishin: kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ministri i Financave, Avdullah Hoti, përfaqësues të ATK-së, Doganave të Kosovës, të KEDS/KESCO, si dhe përfaqësues të institucioneve komunale dhe përfaqësues të shumtë të bizneseve të kësaj ane. Në konferencë, të pranishmit u informuan për nismat dhe shërbimet që ofrohen nga institucionet e Kosovës, të cilat kanë ndikim në zhvillimin e ndërmarrësisë dhe të të bërit biznes në Kosovë. Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, në fjalimin e saj, fillimisht bëri të ditur për mbështetjen e vazhdueshme të bizneseve, që është duke u bërë nga ministria, të cilën ajo e drejton, me synim të zhvillimit të përgjithshëm ekonomik të vendit. Ajo i përmendi edhe Fondin për Garanci Kreditore, ku deri më tani janë lëshuar 63 kredi në kuadër të këtij fondi. Po ashtu, ministrja Bajrami përmendi edhe përkrahjen e bizneseve në pjesëmarrje nëpër panaire brenda dhe jashtë vendit, pjesëmarrje e cila ka ndikuar që kompanitë kosovare të nënshkruajnë kontrata për eksport të produkteve të tyre në tregjet e huaja. Ajo i injoftoi kompanitë se MTI, përmes KIESA-s, do ta bëjë publik së shpejti edhe programin e pjesëmarrjes nëpër panaire për vitin 2017. Ministrja Bajrami, gjithashtu i njoftoi bizneset edhe për projektin e Certifikimit të Produkteve, që do t’ua lehtësojë produkteve kosovare qasjen në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare. Gjithashtu, ministrja Bajrami bëri të ditur para afaristëve edhe për eliminimin e burokracisë për lehtësimin e marrjes së lejeve dhe licencave. Ministri i Financave, Avdullah Hoti, bëri një njoftim gjithëpërfshirës rreth nismave që janë duke u ndërmarrë në Politikat Fiskale, përkatësisht pakon e re fiskale, që do t’u krijojë lehtësira dhe mundësi në zhvillimin e bizneseve. Ndërsa kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, gjatë fjalës së tij përshëndetëse foli rreth aktiviteteve të ndërmarra në komunë si dhe për bashkëpunimin me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në aspektin e krijimit të ambienti të favorshëm për zhvillimin e bizneseve. Besian Mustafa, drejtor i përgjithshëm i KIESA-s, prezantoi aktivitetet e agjencive dhe departamenteve të cilat veprojnë në kuadër të MTI-së dhe që janë në shërbim të biznesit. Gjatë konferencës, përfaqësuesit e bizneseve patën rastin që t’i shprehin shqetësimet rreth zhvillimit të aktiviteteve të tyre biznesore, kurse nga ana e përfaqësuesve institucionalë dhe njëherësh u theksua mbështetja e vazhdueshme, si dhe nismat që janë duke u ndërmarrë nga institucionet qendrore dhe lokale në përkrahjen e sektorit privat. Në fund të konferencës u shpallën ndërmarrjet më konkurruese në rajonin e Gjilanit: Top Ndërmarrja e Mesme më konkurrente e vitit u shpall kompania “Banja e Kllokotit” sh.p.k.; Top Ndërmarrja e Vogël “Interplast” sh.p.k; ndërsa Top Mikrondërmarrja më Konkurrente e vitit u shpall ndërmarrja Qendra për aftësim profesional “Britannica LC”.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors