Me ftesë të kryeministrit të Kosovës sot në Prishtinë, në organizim të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, u mbajt takimi me pronarët e qendrave tregtare të Kosovës me temë: Mbështetja e produkteve vendore në tregun e brendshëm.
Qëllimi kryesor i takimit ishte diskutimi i hapur me pronarët e marketeve me qëllim të krijimit të kushteve për mbështetjen e produkteve vendore përmes mundësimit të hapësirës së mjaftueshme nëpër marketet e vendit tonë.
Në fjalën e tij Kryeministri Isa Mustafa theksoi se fuqizimi i bizneseve ka qenë, është dhe mbetet prioritet themelor i kësaj qeverie, dhe se me biznese të forta dhe të fuqishme ne do të kemi një ekonomi të qëndrueshme, edhe po ashtu do të kemi një ardhmëri shumë më të sigurt të Kosovës si shtet edhe në këtë pjesë të Ballkanit, por edhe në suaza të familjes evropiane.
Kryeministri Mustafa shtoi se “Tregtia, marrë në përgjithësi, e ka pjesëmarrjen më të madhe në bruto produktin vendor të Kosovës. Ka një pjesëmarrje prej 12 për qind, që kapërcen pjesëmarrjen e çdo dege tjetër të ekonomisë, dhe ajo duhet të vlerësohet si peshë e veçantë, mirëpo gjatë viteve të kaluara, ne kemi bërë përpjekje që krahas tregtisë dhe shërbimeve të cilat kanë dominuar në ekonominë kosovare, t’i japim përparësi edhe sektorit të prodhimit, edhe sektorit të bujqësisë si një sektor i veçantë i prodhimit, në mënyrë që të krijojmë parakushte që të pasurojmë edhe tregtinë me produkte vendore; të kemi eksport të produkteve vendore në mënyrë që të përmirësojmë bilancin tregtar me jashtë, dhe të kemi hapësirë për krijimin e vendeve të reja të punës, sepse këto vende kryesisht mund t’i gjenerojmë përmes sferës së prodhimit.” Kryeministri shtoi se “ajo që ne do të donim që të arrinim bashkërisht me ju, është që të kemi një prezencë më të madhe të produkteve vendore në kompanitë e juaja, dhe në qarkullimin e juaj tregtar, gjithmonë duke respektuar kriteret e bizneset dhe kushtet e biznesit në Kosovë.”
Në adresimin e saj para të pranishmëve, Ministrja, Hykmete Bajrami, tha se Qeveria e Kosovës e ka në fokus agjendën e zhvillimit ekonomik. Ajo shtoi se “kemi punuar të gjitha dikasteret, nën koordinimin e Kryeministrit Mustafa, që të kemi një ambient me të mirë të biznesit, tashmë të konfirmuar nga institucione dhe raporte ndërkombëtare si dhe përfaqësuesit e biznesit në vend.” Ajo më tej potencoi se “Historia e tri dekadave të fundit ka ndikuar që në vendin tonë gjërat të jenë me të vështira. Siç e dini, pas 10 viteve të okupimit klasik dhe luftës që e përshkoi vendin tonë në vitin 1998-1999 jeta ekonomike filloi me pothuajse 100% importe. Starti i prodhimit në vend ka qenë i vështirë sepse nuk ka pasur vazhdimësi, por përkundër kësaj, shpirti ndërmarrës nuk ka munguar. Qytetarët e vyeshëm të vendit kanë filluar të prodhojnë, disa prej tyre sot janë prezentë në tregjet e zhvilluara ndërkombëtare. Këtyre ndërmarrësve dhe të tjerëve me të vegjël, padyshim se iu ka ndihmuar shumë mbështetja juaj; për cilin do produkt është tepër e rëndësishme që të testohet dhe pranohet nga tregu vendor, qasjen në tregun vendor prodhuesit vendorë e kanë përmes juve” u tha ajo afaristëve të pranishëm.
Ministrja Bajrami falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme që rrjetet tregtare kanë pasur për prodhuesit vendorë dhe kërkoi nga ata që të vazhdojnë që edhe më fuqishëm të mbështesin prodhimin vendor duke u mundësuar produkteve kosovare më shumë hapësirë në raftet e supermarketeve.