Vizita nisi në fabrikën Gacaferi, një kompani e prodhimit industrial të mobileve, ku u mirëpritën nga pronari z. Naim Gacaferri dhe punëtorët e vyeshëm të kësaj kompanie.
Duke theksuar rëndësinë e industrisë së drurit, ata u fascinuan me përkushtimin e pronarëve dhe të gjithë ekipit për të ofruar produkte me cilësi të lartë në çdo nivel.
Me kreativitet të pakufishëm dhe traditë në industrinë e mobiljeve që daton që nga viti 1957, Gacaferi prodhon kuzhina, mobilie dhe aksesorë, me standarde të larta të cilësisë për tregun vendor dhe ndërkombëtar.
Vizita vazhdoi në fabrikën Mobile Dekor, ku u njoftuan nga afër me teknologjinë e re me rritje të kualitetit të prodhimit të mobileve dhe rritjes së eksporteve.
Me pronarin e kesaj kompanie, z. Mentor Zeka, bashkëbiseduan për inovacionin në rritje në industrinë e drurit dhe rëndësinë e angazhimit të bizneseve vendore me kompetencë, për të kontribuar në arsimin dual për përmirësimin e kualifikimeve të fuqisë punëtore dhe shpalosjen e potencialit të mëtejmë të industrisë vendore.
Mobile Dekor si një nga përfituesit e skemës së granteve të projektit CERP me financim nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, me synim rritjen e konkurrencës dhe gatishmërisë për eksport, është mbështetur në avancim të teknologjisë, standardizim, trajnim dhe dixhitalizim.
E ndërsa gjatë vizitës në fabrikën Bakalli Metal, një kompani me prodhime të konstruksioneve metalike të cilësisë së lartë, Ministrja Hajdari dhe zëvendësministri Kelmendi u befasuan me vullnetin dhe suksesin e lartë të pronarit z. Flamur Bakalli, nga një biznes i vogël familjar, tani me rritje të eksporteve në tregun evropian dhe partneritete të reja ndërkombëtare për furnizim nga Bakalli Metal.
Nga z. Bakalli u njoftuan se çelësi i suksesit të arritur deri më sot, është vlerësimi dhe motivimi i punëtorëve, gjersa dy nga punëtorët e kësaj fabrike që kishin migruar në Gjermani, janë rikthyer në vendin e tyre të punës në Bakalli Metal.
Ministrja Hajdari tha se Qeverisja jonë është e angazhuar për të krijuar një mjedis të favorshëm për bizneset, ku punonjësit mund të ndihen të vlerësuar dhe të motivuar sepse sukseset e bizneseve të vogla, të mesme dhe të mëdha janë sukseset e shoqërisë sonë.
Qeveria jonë do të vazhdojë të ofrojë mbështetje ndaj bizneseve përmes politikave favorizuese dhe skemave të ndryshme mbështetëse për të shpalosur tutje potencialin e industrisë vendore për të qenë shtytës kryesor për zhvillim të përgjithshëm ekonomik, social e mjedisor në vendin tonë, theksoi Ministrja Hajdari.









