Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), në bashkëpunim me Komunën e Mitrovicës, mbajtën sot konferencën informuese me bizneset e rajonit të Mitrovicës.
Konferenca është organizuar në kuadër të “Ditëve të Biznesit të Vogël 2015”, ku të pranishëm ishin përfaqësues të shumtë të bizneseve të këtij rajoni, të cilët u informuan për nismat dhe shërbimet që ofrohen nga institucionet qeveritare, të cilat përkrahin vazhdimisht zhvillimin e sektorit privat dhe krijim të kushteve më të mira për investime.
Në konferencë morën pjesë përfaqësues nga ATK, Dogana e Kosovës, përfaqësues të institucioneve lokale, përfaqësues të projektit KOSME, si dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit të rajonit të Mitrovicës.
Këshilltari i Ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Kujtim Isa në fjalën e tij fillimisht falënderoj të pranishmit në emër të ministres Bajrami dhe i njoftoi rreth aktiviteteve që është duke i zhvilluar ministria në përmirësimin e ambientit të biznesit edhe në këtë rajon si dhe përkrahjen e vazhdueshme të MTI-së në zhvillimin e sektorit privat.
Gjatë konferencës, drejtori i Përgjithshëm i KIESA-s, Besian Mustafa informoi bizneset e rajonit të Mitrovicës për shërbimet që ofron MTI-ja, në veçanti agjencia që ai drejton në mbështetjen e ndërmarrësisë. “Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjev në Kosovë ka pesë fusha nën mandatin e saj janë; promovimin e investimeve, eksportit, turizmit dhe në anën tjetër ajo e mbështetjes së NVM-ve si dhe zonat ekonomike përmes së cilave në jemi afër bizneseve dhe ju ofrojmë shërbime në fusha të caktuara” tha Mustafa.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri gjatë fjalës së tij përshëndetëse foli rreth aktiviteteve të ndërmarra në komunë si dhe bashkëpunimin me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në veçanti në funksionalizimin e zonës së lirë ekonomike në Mitrovicë.
Ndërsa përfaqësuesi i administratës tatimor i njoftoi bizneset rreth pakos së re fiskale, për lehtësirat në procedurat tatimore, si në taksa po ashtu edhe në import, gjatë zhvillimit të aktiviteteve të bizneseve. Mes tjerash edhe përfaqësuesi i projektit KOSME njoftoi bizneset për së afërmi rreth Skemës Voucher të Këshilldhënies si dhe për beneficionet e kësaj skeme për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Konferenca ishte interaktive, ku bizneset i prezantuan shqetësimet e tyre rreth zhvillimit të aktiviteteve të tyre biznesore, kurse nga ana e përfaqësuesve institucionalë edhe njëherë u theksua mbështetja e vazhdueshme si dhe nismat që janë duke u ndërmarrë nga institucionet qendrore dhe lokale në lehtësimin e zhvillimit të biznesit në përgjithësi dhe njëkohësisht në përkrahjen e sektorit privat.
Në fund të konferencës, ndërmarrja më e suksesshme në rajonin e Mitrovicës u shpall ndërmarrja që merret me prodhimin e mobileve, dyerve dhe dritareve të plastikës “BINNI” sh.p.k.