Sot në Prishtinë u bë nënshkrimi i marrëveshjes për Promovimin dhe Mbrojtjen Reciproke të Investimeve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Marrëveshja nga pala kosovare u nënshkrua nga ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ndërsa nga pala e shtetit të Emirateve nga z. Younis Haji Al Khoori, nga Ministria e Financave e Emirateve. Ministrja Bajrami tha se kjo marrëveshje vije në kuadër të angazhimit të Qeverisë së Kosovës për arritjen e objektivave në fushën e mbrojtjes dhe nxitjes së investimeve të huaja dhe do të shërbejë në hapjen e rrugës për investime dhe bashkëpunim ekonomik në mes të dyja vendeve. Duke e ditur se promovimi dhe mbrojtja reciproke e investimeve, mbi bazën e kësaj marrëveshjeje, do të stimulojë iniciativën dhe prosperitetin e afarizmit, palët u pajtuan që të vazhdojnë bashkëpunimin e mëtejmë për të nxitur investimet reciproke në interesin e të dyja vendeve.