Të enjten në Prishtinë, ka nisur së realizuari projekti “Mbështetja e Lëvizjes së Lirë të Mallrave”, i themeluar nga Bashkimi Evropian.
Ky projekt synon të mbështesë lehtësimin e lëvizjes së lirë të mallrave në Kosovë, duke ofruar asistencë teknike për institucionet kryesore.
Irfan Lipovica, drejtor në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, tha se ky projekt ka filluar së realizuari muajin e kaluar dhe do të zgjasë dy vjet dhe se përfitues kryesor është Ministria e Tregtisë dhe Industrisë me dikasteret që ndërlidhen me lëvizjen e lirë të mallrave, siç është Agjencia e Metrologjisë, Agjencia e Standardizimit, Departamenti i Industrisë dhe Departamenti i Mbrojtjes së Konsumatorit.
Ai po ashtu theksoi se nga projekti, përveç tjerash, pritet që MTI-ja të mbështetet në çështjet kryesore, në segmentin e lëvizjes së lirë të mallrave, ngritjen e vetëdijes së bizneseve, prodhuesve vendorë, në shfrytëzimin e infrastrukturës së cilësisë dhe zbatimin e legjislacionit relevant për një infrastrukturë dhe cilësi dhe siguri të produkteve si dhe ngritjen e dikastereve të lartpërmendura që ndërlidhen direkt me monitorimin e zbatimit të legjislacionit relevant.
Sekretarja e Përgjithshme e MTI-së, Eljana Naka, i përshëndeti dhe i përgëzoi të pranishmit për nismën e këtij projekti. “Ky takim shënon fillimin e një projekti me rëndësi së veçantë për MTI-në, projekt ky i shumëpritur i cili do të shtyjë dhe do të realizojë shumë iniciativa dhe procese brenda MTI-së, projekt ky i cili i mbulon fushat me shumë rëndësi për institucionin tonë, për infrastrukturën e cilësisë, me përmirësimin e së cilave rruga jonë drejt Bashkimit Evropian do të jetë më e lehtë”, tha Naka.
Ajo më tej shtoi se shtyllat e infrastrukturës së cilësisë për herë të parë janë të koordinuara mirë me ndihmën që do ta këtë përmes këtij projekti. Naka po ashtu vlerësoi lart progresin e jashtëzakonshëm dhe të arriturat kryesore të MTI-së, duke veçuar edhe përmbylljen e negociatave të Stabilizim-Asocimit, ku MTI-ja është përgjegjëse për fushën që ndërlidhet me tregtinë.
Sekretarja e Përgjithshme e MTI-së, Eljana Naka, duke iu referuar përmirësimit të të bërit biznes, ka theksuar se Kosova që tre vjet me radhë listohet në kuadër të këtij raporti në pozita sa më afër top-pozitave. “Tashmë kemi pozitën 75 në mesin e 189 vendeve. Krijimi dhe funksionalizimi i zonave të lira ekonomike, lehtësimi i qasjes së financave përmes grandeve, këtu kemi një projekt 4 milionë falë ndihmës së Bashkimit Evropian, si dhe së fundi projekti Brezovica. Këto të arritura kanë kërkuar kohë dhe përkushtim të madh dhe vlen të theksohet se në asnjë moment nuk ka munguar mbështetja e bashkësisë ndërkombëtare, në veçanti e Komisionit Evropian luajti rol kyç në progresin që është bërë në MTI, sidomos viteve të fundit, duke qenë gjithmonë e hapur për bashkëpunim, kanë dhënë kontributin e tyre në mbështetjen e sektorëve të ndryshëm në kuadër të MTI-së, në bazë të kërkesave që kemi parashtruar”, tha Naka.
Ajo ka shprehur përkushtimin e MTI-së dhe stafit të saj për bashkëpunim dhe ka shprehur bindjen e arritjes së një progresi edhe më të madh të MTI-së në të ardhmen. “Në bashkëpunim me ekspertët e projektit “Lëvizja e Lirë e Mallrave”, jemi të bindur që në vitet në vijim do të kemi përmirësim të mëtejmë të ambientit të bizneset dhe do të kemi një rritje të konkurrueshmërisë, e që këto bëjnë pjesë edhe në prioritetet MTI-së”, theksoi Sekretarja e Përgjithshme e MTI-së, Eljana Naka.
Jiří (George) Molák, udhëheqës i Ekipit FMG projekt e ka vlerësuar si një arritje të madhe, duke pasur parasysh se mallrat në Kosovë do të qarkullojnë lirshëm në tregun e BE-së dhe se mallrat duhet të jenë të sigurta dhe cilësisë së lartë.
Ai po ashtu theksoi se duhet të këtë një infrastrukturë dhe element kyç për ambientin e biznesit pasi që bëhet fjalë për mbrojtjen e konsumatorëve dhe se ata kanë të drejtë të bëjnë zgjedhjen sipas nevojave të tyre. Molák tha se projekti do të mbështesë Qeverinë e Kosovës për të përmirësuar dhe për të vendosur në theks më të madh në sigurinë e tregut, dhe se ka për objektiv që të përmirësojë tregun dhe largimin e barrierave.
Libor Chlad nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, (EUOK), vlerësoi rëndësinë e lëvizjes së lirë të mallrave, duke shtuar se nga kjo përfitojnë konsumatorët dhe se ka për qëllim tregun e lirë ndaj BE-së.
Z. Chlad tha se kjo do të jetë një arritje e madhe pasi që mallrat e Kosovës do të qarkullojnë lirshëm në BE, duke e ditur se me cilat standarde të bëhet paraprakisht.
Ai po ashtu theksoi se kjo është një mundësi e mirë për biznesin dhe për krijimin e ambientit më të mirë për biznesin si dhe të drejtat e konsumatorëve.