Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë po vazhdon me përkushtim të mbrojë të drejtat e konsumatorëve gjatë periudhës së Black Friday, duke ndërmarrë masa aktive për parandalimin e çfarëdo abuzimi ose mashtrimi me zbritjet e reklamuara.
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në përputhje me Ligjin Nr. 04/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorit, ka kryer inspektime intensive gjatë gjithë javës dhe do të vazhdojë inspektimet edhe sonte deri në orët e vona, si dhe gjatë vikendit. Këto kontrolle synojnë të sigurojnë që praktikat tregtare janë të ndershme dhe se zbritjet e reklamuara janë reale dhe në përputhje me ligjin.
Ftojmë të gjithë qytetarët që të ndihmojnë në ruajtjen e transparencës dhe ndershmërisë tregtare. Nëse vëreni mospërputhje midis zbritjeve të reklamuara dhe çmimeve reale, ju lutemi të na njoftoni duke përdorur platformën zyrtare në adresën: konsumatori.rks-gov.net/complaintPost.php
MINT mbetet e përkushtuar që të mbrojë konsumatorët nga praktikat mashtruese dhe të sigurojë një mjedis tregtar transparent dhe të drejtë. Konsumatorët janë aleatët tanë më të rëndësishëm në këtë mision, dhe ne jemi këtu për të garantuar që të drejtat ekonomike të secilit të respektohen.
Bashkëpunimi juaj është kyç për të ndërtuar një treg të drejtë dhe të besueshëm për të gjithë!