Prishtinë,
01/04/2026
Parku Industrial në Shtime, i themeluar në vitin 2013 dhe i shtrirë në 10.70 hektarë, tashmë strehon 13 biznese, që punësojnë rreth 250 punëtorë.
Aktivitetet e tyre përfshijnë përpunimin dhe konservimin e pemëve dhe perimeve, prodhimin e materialeve ndërtimore, përpunimin e mermerit dhe të xhamit, sektorë me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin industrial të vendit.
Investimet publike në infrastrukturën bazike kanë arritur rreth 1 milion euro, ndërsa gjatë vitit 2025 janë shtuar edhe 156,354.31 euro nga MINTI.
Për më tepër, investimet private në këtë park kapin vlerën e përafërt prej 10 milionë eurosh, duke dëshmuar besimin e sektorit privat në këtë zonë ekonomike.
Ministrja së bashku me kryetarin e Shtimes vizituan kompaninë Loni Pergola Sh.P.K., e cila ka 25 punëtorë vetëm në njërën vendpunishte, ku u informuan nga afër për zhvillimin ndër vite që ka pasur kjo kompani -një histori suksesi e kësaj komune.
Sipas ministres Kusari-Lila, zona e dytë e parkut të komunës, e cila është planifikuar, tashmë është në proces zhvillimi, por kërkon angazhim dhe shtyrje të mëtejshme përpara në nivelin institucional, në mënyrë që të shfrytëzohet plotësisht potenciali zhvillimor i komunës dhe më gjerë.
Komuna e Shtimes ka potencial të madh për zhvillim ekonomik dhe krijim të vendeve të reja të punës. Mbështetja dhe investimi në këtë park teknologjik janë hapa konkretë drejt forcimit të industrisë vendore dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.






