Përfaqësues të MTI-së dhe të prodhuesve të qumështit diskutojnë për mundësitë përkrahëse

Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) është organizuar takimi lidhur me kërkesat të cilat u janë drejtuar institucioneve të Republikës së Kosovës nga prodhuesit si dhe përpunuesit e produkteve të qumështit. Kërkesat e tyre konsistojnë kryesisht në: rritjen e sasisë së qumështit të freskët në Kosovë; importin e produkteve të qumështit me pretendimin, që nuk i plotësojnë standardet e cilësisë;  pretendimet për produktet e dampuara/subvencionuara nga importi; si dhe në ndryshimin e  politikave fiskale për këtë sektor.

Në takim janë dëgjuar palët lidhur me pozicionet e tyre në gjetjen e ndonjë modaliteti për t’i ofruar përkrahje këtij sektori me qëllim të daljes nga situata në të cilën ata momentalisht pretendojnë se gjinden. 
Në këtë takim ishin përfaqësuesit e institucioneve relevante nga: Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Ministria e Bujqësisë (MBPZH), Ministria e Financave (MF), Doganat e Kosovës (DK), Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUV), Shoqatat e Prodhuesve / Përpunuesve të Qumështit, si dhe disa nga prodhuesit dhe përpunuesit nga ky sektor. 

Aty u diskutuan dhe u propozuan mundësitë e intervenimit  në politikat fiskale aktuale, me qëllim të favorizimit të industrisë vendore. Lidhur me këtë është propozuar që të organizohet një takim në ditët në vijim, në mes të shoqatave të prodhuesve dhe përpunuesve të qumështit me Doganën e Kosovës dhe Ministrinë e Financave. 

Gjithashtu është diskutuar edhe për prezencën e këtyre lloj produkteve në tregun e Kosovës, që sipas shoqatave të lartpërmendura nuk i plotësojnë standardet e cilësisë. Sa i përket kësaj çështjeje, institucioni përgjegjës (AUV) ka ndërmarrë masa dhe është zotuar se do të vazhdojë me marrjen e këtyre masave përderisa identifikohen produkte të tilla në treg. Mbetet që në vazhdim të intensifikohet bashkëpunimi në mes të bizneseve në këtë sektor dhe AUV-it në identifikimin e problemeve të tilla në të ardhmen.

Për më tepër, Inspektorati i Tregut, që vepron në kuadër të MTI-së, është zotuar që do t’i shqyrtojë pretendimet e ngritura nga bizneset dhe shoqatat lidhur me ekspozimin e produkteve te caktuara, që në fakt nuk trajtohen si prodhime qumështi nëpër shtandet/raftet e produkteve të këtij lloji në pikat e shitjes anembanë Kosovës. Në rast të evidentimit të produkteve të tilla, Inspektorati i Tregut i fton këto biznese që t’i denoncojnë/argumentojnë këto raste me qëllim të marrjes së masave brenda kompetencave që i ka Inspektorati i Tregut. 

Në fund, përfaqësuesit nga MPBRZH kanë kërkuar nga përfaqësues të bizneseve dhe shoqatave që sa më shpejtë t’u ofrohen informata lidhur me stoqet aktuale të qumështit të freskët dhe produkteve tjera të qumështit si: kur ka filluar krijimi i stoqeve, sasia e llojit të stoqeve dhe cilat janë llojet e s produktit nga të cilat janë krijuar stoqet. 

Të pranishmit konkluduan se institucionet e Kosovës janë të gatshme që bazuar në legjislacionin në fuqi do t’i ndërmarrim të gjitha hapat për t’i adresuar shqetësimet e lartcekura.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors