Përmirësohet mjedisi afarist në Kosovë sipas Raportit të fundit të Bankës Botërore për Të Bërit Biznes

Raporti i Bankës Botërore (BB) për të “Bërit Biznes 2017” i publikuar me 25 tetor 2016, konfirmon progresin e arritur nga Republika e Kosovës në përmirësimin e mjedisit afarist, duke ngritur rangimin e saj botëror në vendin e 60-të nga vendi i 64-të sa është ranguar me revidimin e raportit të mëparshëm (rikujtojmë se raporti zyrtar i BB për “Të Bërit Biznes 2016” Kosovën e kishte ranguar në vendin e 66-të). Për më tepër informata, klikoni në linkun zyrtar të Bankës Botërore:
http://www.doingbusiness.org/data/exploreeconomies/kosovo/

Dhjetë indikatorët e Raportit të Bankës Botërore për të Bërit Biznes vlerësojnë qeverisjen dhe lehtësinë e të bërit biznes në një mori të fushave ligjore, rregullatore dhe operacionale.

Kosova ka shënuar progres në disa indikatorë. Në veçanti është bërë progres i konsiderueshëm në indikatorët për:
– Fillimin e një Biznesi (nga vendi i 27-të në vendin e 13-të në botë),
– Pagimin e Tatimeve(nga vendi i 77-të në vendin e 43-të në botë); dhe
– Tregtia Përtej Kufijve(nga vendi i 59-të në vendin e 51-të në botë).

Ky përmirësim është arritur kryesisht përmes shkurtimit të afateve, procedurave dhe kërkesave për regjistrimin e bizneseve pranë Agjencisë së Kosovës për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), funksonalizimin e sistemit elektronik të pagimit të tatimeve pranë Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) dhe funksionalizimit të sistemit ASYCUDA nga Doganat e Kosovës.

Këto përmirësime janë rezultat i angazhimit të vazhdueshëm të Qeverisë së Kosovës, përmes Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik dhe Task Forcës për të Bërit Biznes që udhëhiqet nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) si dhe grupeve punuese të specializuara për secilin nga dhjetë indikatorët e Raportit të Bankës Botërore për të Bërit Biznes që udhëhiqen nga ministritë përgjegjëse për fushat përkatëse.

Përveç përmirësimit të rangimit botërore në indikatorët përkatës, përmirësimet në këta indikatorë janë ngushtë të ndërlidhur me reduktimin e korrupsionit, prosperitetin ekonomik si dhe efikasitetin e përgjithshëm në qeverisje. Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me qytetarët dhe bizneset si dhe me mbështetjen e donatorëve partner në këtë proces, duke përfshirë Bankën Botërore dhe Programin e USAID Partneritetet për Zhvillim, do të vazhdojnë të fokusohen në reforma më të thella dhe më gjithëpërfshirëse në të ardhmen, duke përdorur rezultatet nga Raporti i Bankës Botërore për të Bërit Biznes 2017 si platformë për përmirësim të mëtutjeshëm.

Qeveria e Kosovës inkurajon të gjithë respodentët por edhe qytetarët e interesuar të marrin pjesë në anketat e të Bërit Biznes nga Banka Botërore që janë burim i rëndësishëm i informacionit gjatë përgatitjes së Raportit të Bankës Botërore për të Bërit Biznes, në mënyrë që të ndihmojnë qeverinë në vlerësimin e performancës së saj, verifikimin e reformave si dhe rritjen e përgjithshme të sasisë dhe cilësisë së informatave në dispozicion të Bankës Botërore gjatë përgatitjes së Raportit për të Bërit Biznes në vitet e ardhshme.

Për informata të detajuara, gjeni të bashkangjitur një prezantim tabelar të rangimit të përgjithshëm dhe sipas indikatorëve të Kosovës në raportin e fundit.
 

 

TBB 2017

(Rangimi në botë nga gjithsej 190 shtete)

TBB 2016

(Rangimi i reviduar në botë nga gjithsej 189 shtete)

Kosova

60

64

Fillimi i një Biznesi

13

27

Dhënia e Lejeve të Ndërtimit

129

125

Sigurimi i Energjisë Elektrike

114

111

Regjistrimi i Pronës

33

33

Marrja e Kredive

20

19

Mbrojtja e Investitorëve të Vegjël

63

62

Pagimi i Tatimeve

43

77

Tregtia Përtej Kufijve

51

59

Zbatimi i Kontratave

44

43

Përfundimi i një Biznesi (Procedurat e Falimentimit)

163

164

Post Image
Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors