Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar se Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendim për shpalljen me interes publik të Parkut Industrial në Komunën e Gjilanit.
Sipas saj, bëhet fjalë për një hapësirë prej afro 200 hektarësh në Livoç të Epërm, e cila do të jetë në funksion të investimeve dhe zhvillimit industrial.
Ministrja Kusari-Lila e ka cilësuar këtë vendim si një zhvillim të rëndësishëm në kuadër të prioriteteve të Qeverisë për avancimin ekonomik dhe krijimin e kushteve më të favorshme për bizneset dhe investitorët.
Ajo ka theksuar se zhvillimi i parqeve industriale synon të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen ekonomike, zgjerimin e kapaciteteve prodhuese dhe krijimin e vendeve të reja të punës.