Në lidhje me shkrimin e porositur nga biznismenë me konflikte të hapura të interesit, e të botuar në numrin e sotëm të gazetës “Kosova sot” me titull “Ministrja Bajrami licencoi kompaninë e familjarit të saj”, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dëshiron të bëj këtë sqarim:
KPU Inspekt është një trup inspektuese për verifikimin e dokumenteve për vlerësim të konformitetit, e cila ka qenë e autorizuar nga MTI që të ushtroj veprimtarinë e saj që nga nëntori i vitit 2011. Autorizimi i fundit kësaj trupe i është dhënë në dhjetor të vitit 2014, nga ish-ministri i MTI-së, me afat njëvjeçar, deri më 19 dhjetor 2015. KPU Inspekt ka parashtruar kërkesën e saj për vazhdimin e Autorizimit, brenda afatit të caktuar ligjor. Komisioni për vlerësimin e kushteve për dhënien e propozimit për Autorizim të Trupave për Vlerësim të Konformitetit për cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës (i cili është formuar nga ish-ministrat e MTI-së në mandatin e kaluar qeverisës, fillimisht me datën 28.06.2012 dhe i ndryshuar me datat 06.05.2014 dhe 06.11.2014) e ka shqyrtuar dokumentacionin e aplikuesit për vazhdim të Autorizimit dhe pas verifikimit të dokumentacionit, ka rekomanduar që KPU Inspekt t’i vazhdohet Autorizimi. Në bazë të rekomandimit të Komisionit, Ministrja e MTI-se ka marr vendimin për vazhdimin e Autorizimit, gjithnjë në pajtim me ligjet në fuqi. Vlen të theksohet që përveç KPU Inspekt autorizim të ngjashëm për verifikimin e dokumenteve për vlerësim të konformitetit kanë edhe tre operatorë të tjerë.
Dëshirojmë të ritheksojmë përcaktimin e palëkundur të Ministres dhe të stafit të MTI-së për vendosjen e kontrollit të cilësisë në tregun e naftës, i cili ishte lënë në mëshirën e bizneseve të cilat kanë përfitur nga mungesa e legjislacionit adekuat dhe tash po i pengon përpjekja për të vendosur rend dhe ligj.
Po i’u rikujtojmë vetëm disa fakte:
• në fund të vitit 2014 kanë qenë të palicencuara mbi 40% të pikave shitëse të karburanteve. Nga 374 operatorë ekonomik që kanë qenë të pajisur me licencë të shitjes me pakicë të derivate, në fund të vitit 2015 ky numër ka arritur në 522, pas fillimit të aksionit për mbylljen e pikave të palicencuara, i cili po vazhdon deri në licencimin e të gjitha pikave;
• për herë të parë nga viti ‘99, janë regjistruar në sistemin GPS të gjitha pikat e karburanteve dhe dihen saktësisht cilat janë aktive, cilat janë joaktive si dhe ato që janë të licencuara apo të palicencuara;
• janë kalibruar të gjitha instrumentet në pikat e karburanteve për t’u siguruar që litri është litër;
• është shtuar numri i kontrolleve të brendshme nga Inspektorati i Tregut si dhe është blerë laboratori mobil për testimin më të shpeshtë të naftës dhe të derivative të saj, përmes të cilit do të krijohen mundësitë edhe për verifikimin e punës së laboratorëve për testimin e derivateve.
Por, puna e MTI-së në rregullimin e tregut të naftës nuk do të ndalet me kaq. Me ligjin e ri për tregti me naftë, i cili është aprovuar nga Qeveria e Kosovës, do të ngushtojmë hapësirën për bizneset të cilat kanë përfituar nga mungesa e mekanizmave efektiv për kontrollin e cilësisë së naftës dhe do të shtojmë kriteret për licencimin e operatorëve për importim të naftës. Paralelisht, jemi në përfundim të ndryshimit të legjislacionit sekondar për bartjen e përgjegjësisë së verifikimit të konformiteteve tek Dogana e Kosovës si dhe do të rregullojmë fushën e autorizimit të laboratorëve për testimin e karburanteve të naftës në mënyrë që të evitojmë çfarëdo konflikti të interesit në mes të aktorëve në sektorin e naftës.
Të gjitha këto masa po u pengojnë atyre bizneseve që kanë përfituar nga mungesa e mekanizmave të duhur për kontrollin e cilësisë së naftës. Të tillët madje nuk po ngurrojnë që përmes disa gazetarëve joprofesionistë të manipulojnë opinionin me informata të pasakta me qëllim të nënvleftësimit dhe pengimit të aktiviteteve të institucioneve qeveritare për të vendosur rend dhe ligj në tregun e naftës. Disa prej këtyre personave që japin deklarata kanë konflikt të hapur të interesit duke qenë vet edhe përfitues edhe pjesëmarrës në strukturat që kanë për obligim kontrollimin e cilësisë së naftës në Kosovë. Për këtë arsye, MTI do të kërkoj edhe ndihmën e organeve të drejtësisë për të përcaktuar ligjshmërinë e atyre vendimeve dhe aktiviteteve të këtyre operatorëve.
Dhe për fund dëshirojmë të informojmë opinionin që i apostrofuari Erzen Bajrami, nuk është pronar i biznesit të sipërpërmendur. Por, edhe sikur të ishte ai vet pronari, e sigurojmë opinionin që nuk do të kishte asnjë mundësi që KPU Inspekt apo cilido operator tjeter të autorizohet, po të mos i përmbushte të gjitha kushtet ligjore.
Është për keqardhje që një medium si Kosova sot, lejon të publikohen shkrime të porositura, nga persona që i kanë penguar përpjekjet qeveritare për përmirësimin e kontrollit të cilësisë së naftës, tash e 16 vite.
Edhe me këtë rast, iu bëjmë thirrje të gjithë gazetarëve profesionistë që të vijnë në MTI dhe t’i shohin faktet të cilat dëshmojnë të kundërtën e pohimeve të thëna në media.